Kriza ekonomike, fasonët nxjerrin pa punë mbi 10 mijë punonjës
Reuters- Prodhuesit shqiptarë të këpucëve dhe të rrobave kanë pushuar nga puna ose kanë pezulluar përkohësisht më shumë se 10 mijë punonjës gjatë vitit të shkuar për shkak të rënies së kërkesës nga klientët perëndimorë, tha një zyrtar i kësaj industrie.
Edmond Rusmali, kryetari i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, akuzoi qeverinë se po refuzon të pranojë se kriza po godet 400 prodhues rrobash dhe 80 prodhues këpucësh, të cilët punësojnë rreth 100 mijë vetë.
“Ne po i ndjejmë efektet e krizës që në tetorin e shkuar dhe vazhdojmë t’i ndjejmë ende”, - tha ai në një intervistë. “Ne nuk kemi qenë të imunizuar ndaj kësaj sëmundjeje.”
Shqipëria ka eksportuar veshje në vende të tilla si Gjermania për shumë vite, madje dhe përpara rënies së komunizmit në vitin 1992.
E stimuluar nga krahu i lirë i punës, industria ka vazhduar të rritet në vitet e fundit, edhe pse produktet e saj nuk mbajnë akoma stampën “Made in Albania”.
Rusmali thotë se më shumë se gjysma e fabrikave të këpucëve dhe rrobave që punonin për klientë gjermanë, italianë apo grekë kanë ndaluar ose pjesërisht, ose plotësisht aktivitetin e tyre.
“Ky numër punonjësish të pushuar, numri i atyre që punonin me ndërprerje për shkak të mungesës së kërkesës dhe numri i atyre që janë lënë në pritje, derisa bizneset të nënshkruajnë kontrata të reja, ka arritur në 11 mijë punëtorë”, - thotë Rusmali.
Ai ankohet se qeveria, e cila do të përballet me zgjedhjet më 28 qershor po bën një vesh të shurdhër përballë thirrjeve të tyre për ndihmë duke refuzuar të pranojë se kriza ka goditur Shqipërinë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se rritja e ekonomisë në Shqipëri do të jetë 0.4% në vitin 2009, pas rritjes prej 6.8% në vitin 2008. Por qeveria është optimiste se rritja do të jetë të paktën 4%.
Rreth 68% e veshjeve dhe këpucëve të prodhuara shkon në Itali dhe pjesa e mbetur shkon kryesisht në Greqi dhe Gjermani.
Në vitin 2007 ri-eksportimi i veshjeve dhe këpucëve të përfunduara u rrit me 19%, ndërsa në vitin 2008 u rrit me 4.5%. Gjatë së njëjtës periudhë, importi i materialeve për prodhimin e rrobave dhe këpucëve ra me 5.5%.
Produktet e veshjeve dhe këpucëve arritën 60% të totalit të eksporteve shqiptare në vitin 2008. Eksportet kanë rënë respektivisht me 11.6% dhe 14.9% në janar dhe shkurt të këtij vitit. Megjithatë, në mars pati një rritje prej 5.9%. Duke e ilustruar situatën e vështirë të këtij sektori me historinë e biznesit të tij prej 35 punonjësish, Rusmali thotë se partneri i tij italian së fundmi porositi vetëm 138 palë rroba në një muaj, çka pak a shumë është e vlefshme sa një ditë pune. Rusmali tha se sektori nuk ka kërkuar të çlirohet nga taksat, por dëshiron që qeveria të paguajë kontributet e sigurimeve sociale për punonjësit e papunë për të paktën gjashtë muaj.
“Ne po luftojmë për të mbijetuar”, - thotë ai.
“Personalisht mendoj se mund të ketë disa përmirësime në pjesën e dytë të vitit 2009.”