Sulmi ndaj “TemA”-s, rikthim te problemet e vjetra të Berishës
E kam ndjekur me vëmendje tërë ecurinë e konfliktit të gazetës “TemA” dhe të drejtorit të saj, Mero Baze, me qeverinë dhe veçanërisht kryeministrin Berisha. Në vend që të marr përgjigje sqaruese nga qeveria për çka gazeta ka kritikuar - fillimisht do të thoja në mënyrë mjaft të moderuar dhe më vonë me akuza gjithnjë e më të forta, por goxha të argumentuara - ka qenë heshtje dhe më vonë sulme personale ndaj Bazes dhe diskreditime nëpërmjet akuzash që nuk kanë pasur të bëjnë me argumentet dhe akuzat në fjalë.
Sulmi i fundit ndaj gazetës është në vazhdën e shurdhësisë së Berishës ndaj kritikave gjë që, për fat të keq, zhvillohet tek ai në mënyrë eksponenciale sipas logjikës e keqja prodhon një të keqe tjetër edhe më të madhe, ku veshshurdhësia dora-dorës shndërrohet në dhunë për të mbyllur gojën. Ky është një nga problemet më të rënda që ka politika jonë dhe Berisha është një nga të akuzuarit më të mëdhenj për këtë lloj politike me tragjedinë e ‘97.
Po aq e rëndë është edhe politika sipas së cilës sa kohë je mbështetësi im mund të bësh ç’të duash, të ligjshme dhe të paligjshme, kurse po guxove të më dalësh kundër, do të përdor çdo mjet të ligjshëm dhe të paligjshëm për të të shkatërruar. Edhe për këtë Berisha është një ndër kampionët.
Sulmi ndaj “TemA”-s është një ndër ilustrimet e shumta të kësaj politike, ku edhe ligji zbatohet në mënyrë selektive duke nëpërkëmbur një nga parimet themelore të së drejtës, sipas të cilit përpara ligjit janë të gjithë të barabartë, çka e ka katandisur politikën tonë në një luftë bandash që në vend të shtetit të së drejtës kërkojnë të instalojnë shtetin e më të fortit.