E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turpi i një kohe që përsëritet

Nga Valmir Elezi

“Krye-ateisti shqiptar, mbiemri i të cilit ngjan me atë të një kleri mysliman”, e kam lexuar këtë shprehje te një parathënie e një vepre të Kadaresë, që i dedikohet diktatorit Enver Hoxha, i cili, në përgjithësi, e mbajti përmbys Shqipërinë e përmbysur.

Veprimi i dikurshëm i Kishës që pretendonte të kishte si pushtetin profan, edhe atë pagan, kishte shkuar deri aty sa të digjte në turrën e druve një njeri të dijes, pasi kishte thënë se, “Toka sillet rreth diellit”, është po aq i turpshëm sa pushkatimi i një shkrimtari në kohën e monizmit në Shqipëri vetëm pse kishte shkruar (nëse mund ta kujtoj me saktësi) një varg: “Saharaja nuk ka lot për të qarë”.

Por, ç’është ky (ri)frymëzim i çuditshëm dhe kjo ndjenjë nostalgjie për një kohë që shkoi, që më shumë sesa një e vërtetë që kënaqte të gjithë, na doli se paska qenë vetëm një dehje e mendjes së shoqërisë nëpërmjet propagandave për një “jetë në lumturi”. Para së gjithash, mendoj se sistemi nuk ka të bëjë me këtë. Është moszhvillimi (sidomos) i një shteti të mirëqenies nga ata që dikur mundoheshin të ndërtonin një mendësi për një gjendje më të mirë sesa në atë që ishin para shembjes së diktaturës. Pra, pak rëndësi ka, nëse është një regjim demokratik apo diçka tjetër. Kam bindjen se arsyeja kryesore prapa kësaj qëndron “të vështirësosh gjendjen edhe më shumë nga sa ishte”. Sepse, teorikisht, nëse do t’i merrnim të gjithë shqiptarët e Shqipërisë e t’i vendosnim në ndonjë vend të zhvilluar (sidomos ekonomikisht) me regjim demokratik, ata do të urrenin më shumë (së bashku) regjimin dhe individët që propagandonin një “jetë në lumturi” që nuk ishte e tillë. Gjendja reale në terren të bën të mendosh të njëjtën gjë edhe për regjimin demokratik në Shqipëri. Por është e gabueshme ta fajësosh një regjim, i cili ka treguar më shumë se çdo sistem tjetër se është bartës i mundshëm i arsyes, ngaqë shumica e vendeve të botës me demokraci liberale (madje edhe ato që i përkisnin lidhjeve me ideologjinë që mbizotëroi shekullin e kaluar) iu kanë krijuar shumicës së njerëzve kushte më të favorshme nga sa kishin dikur dhe kjo është njëra nga arsyet që shikohet me sy turpi ajo që i ka kaluar historisë. Kurse vetëm ajo që ndodhi në Gërdec ka treguar se sa është e pasigurt jeta e një qytetari të Shqipërisë, i cili, në fund të fundit, nuk mund ta kuptojë se kush e shkaktoi këtë tragjedi, ngaqë nuk arrihet deri te një përfundim nga organi shtetëror përkatës që mendohet të jetë i ndikuar nga pushteti ekzekutiv, duke thyer kështu njërin nga parimet e pushtetit në fjalë, por që është i përbashkët për të tria pushtetet shtetërore, atë të pavarësisë së tij.

Theksi duhet të vendoset mbi njerëzit që mbajnë institucionet dhe që janë përgjegjës për mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve të vendit që drejtojnë. Në të njëjtën linjë me këtë, është ashtu siç e ka argumentuar Zhan Mone se, “asgjë nuk mund të realizohet pa njerëzit, asgjë nuk është e qëndrueshme pa institucionet”. Padyshim që njëri nga qëllimet e shtetit është zhvillimi i mirëqenies së qytetarëve të tij. Fjala vjen, John Rawls i ka renditur të drejtat e njeriut në tri grupe, si: liria personale e politike, mundësia për shkollim e punësim, dhe të ardhurat e pasuria. Duke thënë se, “pa liri, pa pará, pa mundësi shkollimi dhe më pas për të gjetur punë, vështirë se mund të arrihet ndonjë gjë për të qenë”.

Janë dhënë shumë mendime në lidhje me shkaqet e ekzistencës së varfërisë në botë. Varfëria zor se mund të zhduket, përderisa të tjerët marrin më shumë se çfarë iu duhet, këtu kemi parasysh pasurimin e disave (qofshin zyrtarë apo jozyrtarë), që na kujtojnë personazhet e përrallave (të cilëve iu rastis të udhëtojnë qoftë ditën apo natën dhe në një moment ndeshen në ndonjë qyp me ar). A nuk ngjan kjo në Shqipëri?! Ndërsa për njeriun e thjeshtë, që ka një jetë për të jetuar si gjithë të tjerët, është njësoj si te vepra e Dostojevskit “Shënime nga shtëpia e vdekur”, “Ja more fatkeq, merre kopekun, në emër të Zotit”. Prapëseprapë, pyetja që bëhet është: A nuk ngjan kjo në Shqipëri?!

Autori është student i Shkencave Politike në UP

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›