E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni po e privon Shqipërinë nga e ardhmja e saj

Nga B. Bix Aliu*, Balkan Insight

Përpjekjet nuk do të kenë sukses, nëse prokurorët nuk do jenë të lirë të hetojnë abuzuesit; heqja e imunitetit nga prokuroria për të gjithë zyrtarët do ishte një ndihmesë

Shtetet e Bashkuara i japin një rëndësi të veçantë luftës ndaj korrupsionit. Ne e shikojmë atë si një kërcënim ndaj zhvillimit dhe prosperitetit. Korrupsioni vë në rrezik stabilitetin politik, dobëson demokracinë dhe pengon rritjen ekonomike dhe investimet e huaja.

Korrupsioni e mban peng të ardhmen e një kombi dhe ëndrrat e popullit të tij duke larguar investimet nga fushat që kanë më shumë nevojë, si sektori publik, infrastruktura dhe zhvillimi social.

Promovimi i qeverisjes së mirë dhe lufta ndaj korrupsionit janë prioritete të rëndësishme të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

SHBA e ka ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin dhe rritur transparencën, përmirësuar qeverisjen e mirë, luftuar pastrimin e parave dhe proceduar krimet duke ofruar asistencë teknike dhe trajnime. Ne kemi asistuar gjithashtu, duke forcuar sistemin gjyqësor kriminal dhe kapacitetet e agjencive të zbatimit të ligjit.

Zyra e Departamentit të Drejtësisë për Asistencë në Hetime Jashtë Vendit ,OPDAT, ka dhënë ndihmë konkrete për zyrën e prokurorisë dhe për gjykatat. Ajo ka asistuar në luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, narkotikëve dhe rastet e trafikut njerëzor. Ajo ka ndihmuar në ngritjen e një Ekipi të Hetimit të Përbashkët. Ky ekip tani po arrin rezultate të rëndësishme në betejën ndaj korrupsioni dhe krimit financiar - rezultate që janë njohur dhe nga organizata të tilla si Transparency International dhe Freedom House si suksese të vërteta në luftën ndaj korrupsionit. Ne presim të njëjtin sukses në të gjithë vendin me ngritjen e këtyre ekipeve në gjashtë distrikte të tjera.

Ne të gjithë e dimë se zyra e Prokurorit është duke hetuar disa nga rastet më të komplikuara dhe të nxehta ndonjëherë në Shqipëri. Edhe pse Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndonjë interes se kush do të gjendet fajtor ose i pafajshëm - kjo është një detyrë strikte e prokurorëve dhe gjykatësve - drejtësia nuk mund të ofrohet, nëse hetuesit dhe prokurorët nuk lejohen të ndjekin provat kudo që të të çojnë ato.

Nuk ka asnjë argument se, për të patur sukses, prokuroria duhet të ketë pushtetin e plotë për të hetuat dhe proceduar shkelësit e lirë prej ndërhyrjeve nga jashtë. Heqja e imunitetit për të gjithë zyrtarët e lartë do ta bënte suksesin të mundshëm.

Policia është një tjetër element kyç në mekanizmat e zbatimit të ligjit.

Programi për Asistencë dhe Trajnim në Hetimin Kriminal i Departamentit të Drejtësisë, ICITAP, ka ofruar ndihmë të vazhdueshme ndaj policisë duke reformuar programet e trajnimit dhe lidershipit, dhe duke përmirësuar aftësinë në hetimin dhe parandalimin e krimit, si dhe në policimin në komunitet.

Disa programe të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar, USAID, në fushën e antikorrupsionit dhe zbatimit të ligjit janë projektuar për të reduktuar mundësitë dhe arsyet për korruptim, dhe për të promovuar media të pavarura, shoqërinë civile dhe edukimin publik.

Shqipëria është kualifikuar për një program të dytë të Programit të pragut të Llogarisë së Mijëvjeçarit. Ai do të asistojë përpjekjet antikorrupsion duke ngritur gjykata administrative që do të përmirësojnë menaxhimin e mosmarrëveshjeve me karakter administrativ, si dhe apelimet për taksat e prokurimet; reformat në administratën e tatimeve për të përmirësuar mbledhjen e të ardhurave; përmirësimin e sistemit të licencimit përmes modelit one stop shop; ngritjen e Regjistrit të Planifikimit Kombëtar për të bërë lejet e ndërtimit më transparente dhe eficiente dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, ngritja e Ekipeve të Përbashkëta Hetimore në gjashtë distrikte të tjera.

Në maj, një sondazh i Institutit për Kërkimin e Alternativave për Zhvillim, IDRA, gjeti se 92 për qind e shqiptarëve besojnë se korrupsioni është gjerësisht i përhapur mes zyrtarëve publikë, një rritje prej tetë për qind në krahasim me një vit më parë. Raporti tregonte se nuk kishte patur progres në indikatorët e ryshfetit. Rreth 70 për qind e njerëzve të marrë në pyetje tregonin se kishin paguar ryshfet për trajtim mjekësor. Rreth 60 për qind kishin pak ose aspak besim te sistemi i drejtësisë. Ka akoma shumë punë për t’u bërë.

Duhet të ketë përparime domethënëse të procedurave të detyrueshme që të sjellin përgjegjshmëri dhe transparencë: kapje të standardeve në proceset e administrimit publik dhe të licencimit; proces legjislativ publik, i cili zbaton rregullat standarde; procese gjyqësore publike që zbatojnë procedurat standarde; proces publik të hartimit të buxhetit dhe kontroll të brendshëm financiar; një shërbim civil në bazë të meritave të gjithkujt.

Më e rëndësishme, duhet të ketë vullnet politik për zbatimin e këtyre ligjeve dhe rregullave dhe përpjekje komplementare nga institucionet e ndryshme të zbatimit të ligjit. Nuk ka asnjë dyshim se SHBA do të vazhdojë ta asistojë Shqipërinë, por forca e vërtetë që iu jep sukses përpjekjeve antikorrupsion duhet të vijë nga brenda vendit: institucionet, shoqëria civile dhe individët. Asnjë nuk duhet të jetë mbi ligjin.

* B. Bix Aliu është zyrtar i Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Balkan Insight, një publikim online i BIRN, e porositi këtë koment

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›