E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkimi i Ina Ramës, “plan” i mbetur në letër

Nga Mero Baze

Në kulmin e zemërimit të shumicës në pushtet me kryeprokuroren, Ina Rama, në fund të korrikut të vitit që shkoi, nga zyrat e Kuvendit filloi të qarkullojë me urgjencë një projektligj për prokurorinë. Përmbajtja e tij u mbajt sekret dhe lëvizi nga Ministria e Drejtësisë në Kryeministri pa u bërë publike. Pas këmbënguljes dhe shqetësimit të diplomatëve amerikanë në Tiranë, por dhe organizatave perëndimore që asistojnë drejtësinë shqiptare, projekti u bë publik. Alarmi i parë që ai ngjalli ishte një nen që kërkonte pezullimin nga detyra të kryeprokurores, në rast se ndaj saj dorëzohej një padi penale. Në atë kohë disa herë u vërtit nëpër dhëmbë fakti që zonja Rama doli së bashku me prokurorët e çështjes së Gërdecit dhe lexoi para publikut kërkesën për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut. Shumica u mat dhe u stërmat ta bënte kalë beteje këtë akt, por më në fund vendosi të fusë në projektligj klauzolën që kur dikush dorëzon një padi penale ndaj kryeprokurores, ajo duhet të pezullohet, derisa të shqyrtohet padia.

Ky paragraf u kundërshtua shumë ashpër nga programet ndërkombëtare që ndihmojnë drejtësinë shqiptare dhe nga diplomatët perëndimorë. Po ashtu, Shoqata e Prokurorëve dhe vetë Prokuroria e Përgjithshme në grupin e punës e hodhi poshtë. U desh dhe prononcimi publik i opozitës, e cila tha se s’ka ligj për prokurorinë, nëse nuk respektohet vullneti i prokurorisë dhe institucioneve perëndimore që kjo klauzolë të hiqej.

Dje ishte koha për ta rilexuar projektin e parë të PD për ligjin e prokurorisë. Tek ai projekt në të vërtetë zë fill padia që u dorëzua dje në prokurori. Zonja Rama po paditet në mënyrë qesharake për një akt që e ka bërë 8 muaj më parë. Me sa duket, synimi i pastër i hartuesve të atij projekti ka qenë pikërisht kjo padi, e cila, nëse paragrafi tinëzar që ata shtuan do të mbetej në fuqi, tashmë do ta kishte shkarkuar kryeprokuroren. Ky fakt është një dëshmi e fortë e asaj që ligji për prokurorinë po hartohej nën emocionet e proceseve që prokuroria kishte nëpër duar dhe se synimi kryesor ka qenë vendosja nën presion e kryeprokurores. Nëse nuk do të tregohej vullnet i qartë kundërshtues ndaj atij paragrafi, sot do të kishim të pezulluar kryeprokuroren dhe një debat pa fund për legjitimitetin e kësaj padie.

Madje, këtu fillon dhe mbaron gjithë rëndësia e padisë së dorëzuar nga avokatët e Mediut kundër kryeprokurores. Ajo padi zbulon planin e vjetër të shumicës për shkarkimin e Ina Ramës, i cili tashmë ka mbetur në letër dhe vlen vetëm për luftë politike.

Për këtë arsye nuk është bërë kujdes as për vlerën reale të fakteve që janë paraqitur kundër saj. Akuza se ajo ka nxjerrë sekretin duke lexuar akuzën para publikut, është hedhur poshtë së pari nga Jozefina Topalli në fund të muajit korrik, e cila e akuzoi zonjën Rama se me kërkesën e saj për heqjen e imunitetit të zotit Mediu nuk kishte sjellë asnjë fakt bindës. Madje, ishte ky sulm i egër i zonjës Topalli që detyroi prokurorinë të fotokopjonte një dosje nja 900 faqe dhe t’ia linte një makinë me letra në derë të Kuvendit. Pra, ajo çfarë ka lexuar publikisht Ina Rama, sipas Topallit, jo që s’ka qenë ndonjë gjë sekrete, por s’ka qenë asgjë që vlente. Dhe si ka mundësi, për një gjë që s’vlen, të ngrihet padi?

Përgjigjja është se ata që kanë bërë padi dy ditë më parë, nuk duan të bëjnë kujdes për ndonjë fakt. Ata kanë porosi të futen në betejë politike me prokurorinë që të ndahen tifozët pro dhe kundër atyre që bënë Gërdecin. Dhe për këtë kanë shkruar një copë letër që e kanë quajtur kërkesë-padi, për të cilën s’jemi të sigurt, nëse e kanë çuar apo jo ende në prokurori. Interesi i tyre është të bëjnë marrëdhënie publike me luftën me prokurorinë dhe këtë po e bëjnë mirë. Dhe në këtë rast mundësia më e mirë që shumica të ketë probleme është ta bëjë mirë luftën me prokurorinë. Është rruga më e sigurt në drejtimin e gabuar. Dhe duket se kanë prijës të mirë për këtë rrugë që s’duhet ta shkelnin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›