E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, gjykata e Londrës pranon ekstradimin e Ilir Kumbaros

Nga Bledar Lumani

Gjykata e Londrës ka pranuar ekstradimin drejt vendit tonë të Ilir Kumbaros, i akuzuar nga drejtësia shqiptare për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Vendimi është dhënë gjatë ditës së djeshme, teksa tashmë pritet që në ditët në vijim ish-oficeri i SHIK të ekstradohet në Shqipëri, ku dhe po gjykohet në mungesë për zhdukjen e Hoxhës. Gjatë vendimit të djeshëm, gjykatësit janë shprehur se kishin prova të mjaftueshme për të vërtetuar se shtetasi i kërkuar shqiptar nuk ishte Shaqa Shatri, siç pretendonte vetë personi, por Ilir Kumbaro, që qëndronte me identitet të rremë në Angli, ku kishte emigruar prej 10 vjetësh.

Pas disa seancash gjykata ka vendosur lejimin e ekstradimit të Kumbaros, duke i dhënë fund kështu procesit në favor të shtetit shqiptar. Sakaq, ende nuk dihet, nëse avokati i tij do ta apelojë këtë vendim. Nëse vendimi mbetet në fuqi, ekstradimi i tij është vetëm çështje ditësh. Ilir Kumbaro akuzohet si një prej përgjegjësve kryesorë në rrëmbimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit, Remzi Hoxha, ngjarje kjo e ndodhur 13 vjet më parë, teksa trupi i këtij të fundit nuk është gjendur ende. Kumbaro, ish-punonjësi i SHIK, është duke u gjykuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në mungesë për këtë vepër, teksa pas prangosjes së tij në Londër, tashmë ai pritet shumë shpejt që të ulet në bankën e të akuzuarve. Së bashku me të, në bankën e të akuzuarve për rrëmbimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, gjenden edhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, si dhe ish-efektivi i SHIK, Avni Koldashi. Në dosjen e prokurorisë në lidhje me rrëmbimin e Remzi Hoxhës thuhet se, “Remzi Hoxha është rrëmbyer në qendrën e punës nga persona të armatosur në datë 21.10.1995, rreth orës 13.30, dhe pasi është lidhur me pranga dhe maskuar në fytyrë, është dërguar në Vajin, të rrethit Lezhë. Për kryerjen e këtij rrëmbimi janë përdorur tri makina të llojeve të ndryshme, njëra prej të cilave kishte të vendosura targat TR 2449 C”. Procesi gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda ndaj tre të pandehurve është në fazën e dëgjimeve të dëshmitarëve nga ana e prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›