Kreshnik Spahiu: Të shqetësuar për sigurinë e jetës së gjyqtarëve
Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, është shprehur dje i shqetësuar për sigurinë e jetës së gjyqtarëve. Sipas tij, me ngjarjet e fundit të ndodhura në vendin tonë, njerëzit e drejtësisë ndjehen të kërcënuar, çka ndikon drejtpërsëdrejti në vendimmarrjen e tyre. Shqetësimi i Spahiut është shprehur gjatë një takimi të posaçëm për sigurinë e gjyqtarëve, takim ky i zhvilluar me krerët e gjykatave në vend. Ky shqetësim vjen pas ngjarjeve të fundit, siç ishte rasti i plagosjes së gjyqtarit Ardian Nuni.
Siguria e gjyqtarëve
Ngjarjet e fundit të ndodhura këto kohë, siç ishte plagosja e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, por edhe denigrimi që krerë të lartë të qeverisë kanë ndërmarrë ndaj gjyqtarëve, ka sjellë edhe reagimin e këtyre të fundit. Gjatë një takimi të zhvilluar ditën e djeshme në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, krerët e gjykatave në vend janë shprehur të shqetësuar për sigurinë e jetës së tyre. Sipas tyre, siguria në mjediset e gjykatave lë për të dëshiruar, ashtu si dhe mbrojtja e jetës së tyre nga ana e shtetit. “Nisur dhe nga disa ngjarje konkrete të ndodhura kohët e fundit në gjykatat e disa qyteteve kryesore, më lejoni t’ju transmetoj shqetësimin njëzëri të Këshillit në mbledhjen e katër ditëve më parë mbi sigurinë e trupës gjyqësore dhe të ambienteve të gjykatave, sipas të cilit, mbrojtja e gjyqësorit është pa diskutim pjesë e autoritetit që ai ushtron. Ata që janë përzgjedhur të japin drejtësi, dhe për pasojë, të mbrojnë interesat e ligjshme të shoqërisë, duhet të jenë vetë të mbrojtur, në të kundërt drejtësia rrezikon të duket vulnerabël”, - deklaroi zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Ky i fundit u shpreh gjatë këtij takimi se shteti duhet ta konsiderojë detyrë primare sigurimin e jetës së gjyqtarëve, pasi, sipas tij, pasiguria në gjykata mund të cenojë dhënien e drejtësisë. “KLD e konsideron detyrë primare mbrojtjen e gjyqësorit nëpërmjet përmbushjes më së pari të garancive ligjore, dhe ky Këshill ka vlerësuar rëndësinë e padiskutueshme që ka garantimi i rendit dhe sigurisë në çdo gjykatë të Republikës. Pasiguria në gjykata mund të cenojë parimin e zhvillimit të procesit të drejtë ligjor. Siguria në gjykata nuk prezumon vetëm mbrojtje të gjyqtarëve, por siguri për të drejtën, publikun, avokatët, prokurorët, si dhe për gjyqtarët gjithashtu”, - tha në fjalën e tij Spahiu. Sipas tij, në një mjedis të pasigurt, jo vetëm gjyqtarët mund të kenë vështirësi në dhënien e vendimeve të drejta, por dhe vetë qytetarët mund të hezitojnë në kërkimin e së drejtës së tyre. “Në një mjedis të pasigurt qytetarët mund të hezitojnë të kërkojnë të drejtën e tyre dhe gjyqtarët mund të kenë vështirësi në dhënien e drejtësisë”, - tha zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Presioni i qeverisë mbi gjyqtarët
Prej shumë kohësh drejtësia është vënë në një presion të dukshëm nga ana e qeverisë aktuale. Ka qenë vetë ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili gjatë një prononcimi pak muaj më parë justifikoi dhunën e ushtruar nga ana e qytetarëve ndaj gjyqtarëve. Sipas tij, gjyqtarët me vendimet e tyre janë shkaktarë për dhunën e ushtruar ndaj tyre. Përveç justifikimit të dhunës së ushtruar, Alibeaj ka bërë akuza të shumta publike për gjyqtarët duke i akuzuar ata për korrupsion. Në të gjitha rastet, pavarësisht akuzave të rënda të ministrit të Drejtësisë, shumë pak gjyqtarë janë shkarkuar apo proceduar penalisht. Rasti më flagrant është ai i 12 gjyqtarëve të Apelit të kryeqytetit, ndaj të cilave Alibeaj lëshoi akuza të rënda, por që deri më tani nuk ka propozuar marrjen e masave ndëshkuese ndaj tyre. Sipas gjyqtarëve, gjithë kjo klimë presioni nga ana e qeverisë mbi ta, si dhe akuzat e shumta, shkaktojnë një reagim të dhunshëm nga ana e qytetarëve mbi ta. Përveç ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, edhe policia është përpjekur që të denigrojë gjyqtarët. Rasti më i fundit ishte deklarata e policisë, sipas së cilës gjyqtari Ardian Nuni nuk bashkëpunoi me ta për gjetjen e agresorëve të tij. Kjo deklaratë e policisë u kundërshtua ashpër nga ana e gjyqtarëve, të cilët e cilësuan atë si një përpjekje për denigrimin e figurës së tyre.