Inspektorët e ISHP marrin pagesa antiligjore
Z. kryeministër.
Befasia e dytë, pas asaj që Ju komunikova në letrën nr. 1, më vjen nga fakti se si ka mundësi që në një qeverisje normale të ndodhë që punonjësit e administratës të përvetësojnë çdo muaj mbipagesa për një punë që nuk e kryejnë. Kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”. Megjithatë, çudia nuk më vjen nga ky fakt, por, sepse, megjithëse ka muaj që kjo gjë ndodh, asnjëra nga strukturat shtetërore kontrolluese (as Auditi i Ministrisë së Shëndetësisë, as Task Force e Kryeministrisë dhe as Kontrolli i Lartë i Shtetit), nuk e kanë marrë mundimin të bëjnë detyrën. Dhe bëhet fjalë për më shumë se 350 mijë dollarë apo 350 milionë lekë të përvetësuara deri më sot, që nuk besoj se janë pak.
Për t’Ju argumentuar gjithë sa shpreha më sipër, po Ju sqaroj:
Më shumë se 90% e numrit të punonjësve të administratës së ISHP vazhdojnë të përvetësojnë pagesa duke shkelur hapur ligjet e shtetit, që parashikojnë shpërblimin për një punë të bërë. Përvetësuesit e kësaj shume i përkasin asaj pjese të nomenklaturës së administratës të Institutit të Shëndetit Publik, që me miratim të drejtuesit të tij, Alban Ylli, janë titulluar inspektorë. Që do të thotë se pas këtij titullimi duhet të trajnohen, të pajisen me distinktivët përkatës e fletëgjoba për të nisur ushtrimin e profesionit të inspektorit të shëndetit publik. Radha e të tillë inspektorëve të titulluar brenda ISHP është mbi 190 punonjës, kurse shuma shtesë, që secili prej tyre përvetëson, përllogaritet mbi bazën e postit zyrtarë dhe gradës shkencore që ai mban. Nga sa jam informuar, kjo shumë varion nga 100 në 120 mijë lekë (të vjetra), çdo muaj. Ky fond rrjedh prej arkës së buxhetit të shtetit, pra nga xhepat e publikut dhe qeveria Juaj ia ka akorduar ISHP për të mbrojtur shëndetin e taksapaguesve, midis të tjerave edhe nga duhanpirja. Mirëpo kjo nuk ndodh, ndaj pagesa është e pameritueshme dhe klasifikohet si përvetësim antiligjor fondesh buxhetore, ngaqë askush prej këtyre punonjësve nuk e ka ushtruar dhe nuk e ushtron funksionin e inspektorit. Madje, nuk e ushtron as drejtori Ylli, as nëndrejtorët, as shefat e departamenteve, as ata të sektorëve etj., zyrtarë të titulluar inspektorë, të cilët, përveç pagave fikse që variojnë nga 60 në 80 mijë lekë në muaj, marrin, pa iu dridhur qerpiku fare edhe shtesën për titullimin inspektorë. Në një debat radiofonik që kam pasur me z. Ylli rreth këtij problemi (BBC, 26 maj 2008), ai është shprehur se e lejon këtë veprim nisur nga dëshira e tij për të rritur nivelin e pagesës së punonjësve të Institutit, “pagesat e të cilëve janë nga më të ulëtat”, sipas tij. Megjithëse më duket plotësisht antiligjor ky argument, do ta toleroja, nëse së bashku me pagesën z. Ylli do t’u kërkonte këtyre zyrtarëve, të titulluar e paguar si inspektorë të shëndetit, edhe detyrimin që rrjedh nga kjo pagesë shtesë. Pra, t’u kërkonte ta ushtronin inspektoratin, në të kundërt duhej t’ua ndërpriste pagesën. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur dhe e vetmja gjë që bëjnë këta inspektorë, që unë do t’i etiketoja “falsë”, është tërheqja e rregullt e pagesave mujore”. Sepse edhe sot e kësaj dite, inspektorët e z. Ylli janë të pa pajisur me kartat e inspektoratit, nuk kanë ndërmarrë asnjë kontroll, nuk kanë marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj shkelësve të ligjit antiduhan, nuk dinë të mbushin fletëgjobat, madje nuk kanë fare fletëgjoba, ngaqë nuk e kanë ushtruar as edhe një ditë detyrën e inspektorit. Për këtë arsye, jo vetëm përreth ISHP, jo vetëm në lokalet brenda territorit të këtij Instituti, por edhe nëpër zyrat e korridoret e institucionit, të Ministrisë së Shëndetësisë, të QUT etj., cigarja e ndaluar me ligj pihet njësoj si në kohën e mosekzistencës së ligjit.
* Kryetar i shoqatës “Për Shqipëri pa duhan”