E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri shpjegon shtetin privat

Nga Tema

Antena brenda familjes

Deklarata e kreut të qeverisë, se Shqipëria është shteti më privat në Evropën Perëndimore, e tronditi thellë Flamurin. Militantët e PD, që shkojnë marrin sqarime tek ai, nuk e kishin ditur këtë arritje kaq të madhe të PD dhe ishin të zemëruar përse Flamuri nuk ua kishte shpjeguar më parë.

Flamuri, nga ana tjetër, ishte i paqartë për mënyrën si Berisha e kishte thënë këtë fjali. Pyeti njëherë Ridvanin, po s’i dha përgjigje të qartë. Në fund vendosi të shpjegojë vetë.

Vjen militanti i parë dhe e pyet:

- Zoti Flamur, si i bëhet kësaj arritjes së fundit që kemi arritur, që jemi shteti më privat në Evropë?

- Kemi hequr shumë pa arritëm deri këtu. Kemi tre vjet që mendojmë natë e ditë për këtë punë. Çfarë s’kemi bërë. I hymë me themele. E nisëm me ARMO-n. Na ndihmoi shumë ai djali i “Taçi Oil”. Thamë të gjejmë një që ka sharë doktori si trafikant, që të mos thonë që e keni privatizuar për vete. E gjetëm atë, e çuam te studioja e privatizimeve, te “Rruga e Barrikadave”, mori letrat dhe nisi punën. Çdo VKM që duhej, çdo rregullim ligjor bëhej nga studioja, shkonte në mbledhje të qeverisë dhe mbyllej puna. Shkoi mbarë gjithçka. Në fund, formuan një konsorcium, 5 firma koti, pas të cilave qëndron ky i “Taçi Oil”, d.m.th., ishin shitësit e naftës si ai, dhe e blenë ARMO-n. U bë private dhe ajo. Lekët s’i kanë paguar ende, se s’i japin kredi bankat, po kjo s’ka shumë rëndësi. Tani është private.

Pastaj u hymë lumenjve, nga Vjosa në Devoll. I mori prapë ajo studioja dhe ua dha austriakëve.

Pastaj u hymë centraleve. Në Vlorë thamë t’ia japim Petraq Milos, në Shëngjin, një mikut çifut të atij burrit, d.m.th., e ka gjet studioja, kurse në Durrës, në Porto Romano e ka ajo studioja. U bë dhe ajo.

Fazlliçi, që thonë këta, një copë ka, pjesën tjetër e ka studioja.

Pastaj u hymë fabrikave të çimentos. Dhe ato një kiamet më vete. I mori ajo studioja, bëri letrat, i dhamë dhe ato.

ǒna ngeli tjetër? Ah po, INSIG-u. Atë drejtorin e solli djali i atij burrit nga Brukseli. E kishte njohur atje, kur ishin bashkë emigrantë. I leshtë duket pak, po pará di të bëjë. Nuk e donin në fillim këta pronarët e huaj të INSIG. Po ai burri nguli këmbë. “Këtu do bëhet si them unë”, - tha Në fakt, ai s’ta mbushte mendjen për drejtor. Ishte ca si humbur, po e kapi veten shpejt. E mësoi punën e lekut. Tani dhe ai ka ngelur për privatizim. Kam shpresë se djali do ta ndihmojë që të bëhet shpejt. Dhe pas kësaj bëhemi vërtet shteti më privat në botë. S’na ka mbetur më pasuri publike. Kemi vetëm këto hekurudhat. Po dhe për ato do bëjmë një ligj për koncesionet, t’i japim. S’ke ç’i do as ato. Po nisi kjo punë, më mirë të bitisi. Gjysma-gjysma nuk mbahen. O të gjitha shteti, o të gjitha privati. Ne kemi gjetur një rrugë të mesme, i ka shteti privat. I ka ai burri të gjitha. E ndihmojnë dhe fëmijët, po ai e mban peshën kryesore.

- Falemnders shumë, zoti Flamur. E dinim që e kemi të fortë kryeministrin, po qenka i madh vërtet. Mendoka natë e ditë për Shqipërinë. Po torturon dhe familjen për të bërë punët tona. Ka fut dhe ata në belara duke privatizuar gjithçka. Ku e gjen një kryeministër të tillë?! Një njeri që jep shembullin familjar i pari, e meriton të qeverisë gjithë jetën. Jo si këta të tjerët që rrinin këmba mbi këmbë dhe prisnin t’ua bënte bota privatizimet. Ja, ky ka lezet.

Iku militanti i parë, i sqaruar. Erdhi i dyti.

- Zoti Flamur, a ke digju bre kryeministrin duke thanë që jena shteti ma privat i Evropës?

- Po bre, e kam digju.

- A vërtet jena, a rren për fushatë ai burri?

- Jo bre, jena vërtet, - i tha Flamuri.

- Ku, ku, ç’na paska gjet, - tha. - Ndaj e pagujmë shtrenjt çdo gjë në shtet ne, më keq se me qenë privat. Qekemi më privat se tanë Evropa.

Iku militanti i dytë, erdhi i treti.

- E vërtetë është ajo që dëgjuam bre për këtë shtetin privat?

- E vërtetë, - i tha Flamuri.

- Po mirë arritje është kjo apo jo?

- Arritje, - i tha Flamuri.

- D.m.th., ne jetojmë në shtetin privat të doktorit? - i tha militanti.

- Jo mo burrë, nuk është i doktorit. Doktori thjesht kryeministër është. Me hallet e privatizimeve janë marrë fëmijët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›