E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëria e Akilit si gabim tragjik

Nga James M. Redfield

Një interpretim i gabimit tragjik ngulitur në historinë e mërisë të Akilit do të na shërbejë për të shembullzuar parimet abstrakte të përdorura në këtë shkrim, ashtu sikurse do të na bëjë të merremi me shqyrtimin e Iliadës. Mëria e Akilit është një gabim kolektiv; nuk është veprim i njëanshëm i një aktori por rezultat i ndërveprimit midis aktorëve të një situate të caktuar sociale. Mëria, për më tepër, është zanafilla e poemës - veprimet e mëpastajme zanafillojnë aty - por nuk përbën një premisë të poemës; poeti na dëften se mëria është pasoja e mundshme e një situate të mëhershme. Mëria është kësodore shkak i menjëhershëm; me potencialin e vet të paqëndrueshmërisë në bashkësi përbën një konflikt aktual (dhe të pazgjidhshëm). Ne e interpretojmë kësisoj mërinë me anë të shpalljes së burimit të tij dhe gjurmimit të zhvillimit të tij (konfliktit) prej potencialitetit në aktualitet.

Mëria e ka zanafillën tek një grindje mes Agamemnonit dhe Akilit. Të dyja këto personalitete janë problematike. Agamemnoni është mbret mbi mbretër, mbizotërues nëpërmjet trashëgimisë së skeptrit të Zeusit dhe madhështisë së sundimit të tij. (II. 100-108). Një bashkësi ka nevojë për një personalitet të tillë hijerëndë; ekzistenca e një autoriteti të tillë madhor kufizon konfliktet, garanton solidaritet, dhe bënë të mundur funksionimin e bashkësisë. Odisea e shpall parimin:

Nuk venë mbarë punët me shumë sundimtarë:

sundues t’jetë një, mbret veç një, veç ai të cilit

skeptrin e ligjet ia dha Zeusi i mençur.”

(II. 204-6)

(Përkthim i Gjon Shllakut)

Mbreti është “zbatuesi i parimit të bashkësisë, gjykatësi i mosmarrëveshjeve, kryekomandant në luftë, shtruesi i gostive dhe organizuesi i kuvendeve me këshillin, kuvende në të cilat vendoset për politikën kolektive.

Sidoqoftë kjo s’do të thotë se mbreti ka autoritet arbitrar. Në një shoqëri e cila më shumë se aristokratike është feudale, ai është primus inter pares - i pari mes heronjsh të barabartë, megjithëse veçan tyre dhe udhëheqësi i tyre. Nestori e shpall rolin e tij:

“E ti, o Artrid, që je kryeprijës, jep urdhër,

Për darkë fto krerët; vërtetë të ka hije,

Pse çadrat plot i ke me verë kuqloshe,

Që dita-ditës sjellin varkat danaje,

Nga vreshtat trake nëpër shpinë të detit.

Asgjë s’të mungon t’i presësh më së miri

Kur të jenë mbledhur, mund t’u marsh mendimin,

Atij që pleqëron drejt pranoji këshillën,

(IX 69-75)

(Përkthim i Gjon Shllakut)

Dhe më tej:

“O lavdimadhi Artrid, mbret i kreshnikëve,

nga ti do nis dhe me ty do sos,

sundues i madh i kombeve të shumta,

që Zeusi i ligjët të besoi dhe skeptrin

për t’i drejtuar me këshilla t’urta

Ndaj të ka hije të thuash fjalën tënde

Më parë se askush, t’u marrsh mendimin tjerëve,

pa frikë të zbatosh atë që të shtyn ndërgjegja

se del më mirë: të përket ty të vendosësh”

(IX. 96-102)

(Përkthim i Gjon Shllakut)

Gjatë poemës Nestori dhe Odisea rropaten që të ruajnë autoritetin e Agamemnonit, jo për të shfaqur besnikërinë e tyre ndaj tij por sepse ata e shohin atë si instrumentin me anë të cilit politika mund të bëhet koherente dhe efektive. Pozita e mbretit kërkon që ai të jetë hem i përgjegjshëm hem autoritativ; duhet të jetë i vëmendshëm kundrejt këshillave të vlerta; dhe t’i shndërrojë ato në politika të mira publike duke i vulosur me anë të aprovimit të shprehur prej tij. Ky është një rol i vështirë, dhe Agamemnoni nuk qe zgjedhur për ta kryer atë; ai e pa veten me këtë përgjegjësi për shkak të një lindjeje rastësore.

Agamemnoni është një karakter i dobët-ngurrues, që brengoset shpejt, shpesh në ankth dhe i padrejtë. Ai nuk është një njeri i keq; është i përkushtuar ndaj të vëllait, është jo pak kurajoz, dhe ka çaste kur shkëlqen si luftëtar. Por ai ka ndërmarrë një rol shoqëror i cili është (dhe ishte) shumë i madh për të. Ai pa asnjë dyshim do të ishte luftar i përshtatshëm për rangun e dytë të luftëtarëve por ajo që i kërkohet për të qenë mbret shkon përtej mundësive të tij.

Akili është problematik në një këndvështrim tjetër. Ekzistenca e tij është fryt i një anomalie; martesa mes Peleut dhe Tetidës, një burri të vdekshëm dhe një perëndeshe të pavdekshme. Homeri nuk e rrëfen historinë sipas së cilës Tetidës iu vardisën të dy Zeusi dhe Poseidoni, por u martua me Peleun kur perënditë mësuan se i biri i Tetidës do të ishte më i lavdishëm se i ati. Ai, sidoqoftë mund ta ketë ditur fort mirë këtë histori dhe priste që edhe audienca ta dinte po ashtu. Homeri e paraqet dhuratën prej perëndie të Tetidës për Peleun në të njëjtin nivel me dhuratën e Afërditës që Helena i dha Paridit; në të dyja rastet një përfitim i dukshëm del të jetë rrënues. Akili është një fëmijë i lindur nga një martesë jo e barbartë mes një nimfe dhe një vdektari, i cili nuk do të jetojë që të lërë trashëgimtar. Në një aspekt, sigurisht që vdekja e tij e hershme përbën fatin e tij, në një aspekt tjetër kjo është rrjedhojë e karakterit dhe rolit të tij.

Akili është një personazh i skajshëm, gjysëm njeri, gjysëm perëndi, pezull mes dy botëve. Për të dy prindërit e tij është problematik. Për të ëmën e tij të pavdekshme ai është ura lidhëse me botën e vdektarëve plot me vdekje dhe pikëllim, ekzistenca e tij bën që e ëma të provojë ndjenja të cilat zakonisht nuk i përjetojnë perënditë. Tetida vetë, është në një pozicion të skajshëm mes perëndive; ajo ka lidhje me Titanët dhe mëtime të sajat për Zeusin (I. 393-406). Nëpërmjet saj Akili zotëron një lidhje të veçantë me fuqinë hyjnore; në të njëjtën kohë, pavdekësia e saj pikëllimtare i ndërmend Akilit vdekshmërinë e tij.

Nëse Agamemnoni ka trashëguar një rol social i cili është shumë i madh për të, Akili ka trashëguar një rol i cili është shumë i vogël për të. Kjo s’do të thotë se Akili mëton sadopak rolin e Agamemnonit, atij madje i shkon shumë më pak të jetë mbret mbi mbretër se sa të qenit më i pari luftëtar mes luftëtarësh. Për Akilin, në të vërtetë nuk ka kurrkund një vend të përshtatshëm në botën njerëzore, virtytet e tij ekstravagante dhe jo të plota, bëjnë që ai të mos ndjehet mirë as atje dhe askund tjetër.

Kësisoj ne përcaktojmë potencialin e mërisë [zemërimit] të tij. Akili dhe Agamemnoni konfrontohen me shoqi-shoqin; si dy burra që janë në vende pozicione në të cilat nuk ndjehen të plotë, të pakënaqur me veten dhe gjërat që i rrethojnë. Poeti e sjell situatën nga potencialiteti në aktualitet duke i shtuar kësaj një ngjarje rastësore: faktin që Agamemnoni zotëron si trofe lufte, bijën e një priftit të Apolonit.

Prifti në vetvete është deri diku problematik; ai është një specialist kulture i cili qëndron në një farë mënyre jashtë statusit të rendit. Prifti rreket ta lirojë me shpërblime të bijën, dhe Agamemnoni refuzon, duke theksuar se prifti duhet të jetë i kënaqur që emblemat e tij priftërore e mbrojnë nga fatkeqsitë që mund ta gjejnë vetë atë. Agamemnoni nuk gjen kurrfarë arsye se pse ai, një njeri fuqiplotë, duhet t’i hapë udhën dikujt që është i parëndësishëm dhe i dobët.

Ky është gabimi i parë i një serie gabimesh; poeti e konsideron atë një gabim ndërsa na dëften që njerëzit i luten atij në emër të priftit. Janë njerëzit që do të vuajnë nga gabimi i Agamemnonit, dhe ata bëjnë të pamundurën që ta ndalojnë ta bëj këtë gabim. Duke nënvlerësuar thirrjen e tyre, Agamemnoni është duke minuar pozitën e tij; të qenit mbret (sipas trashëgimisë) është një pozicion që kërkon përgjegjësi, ai po vihet kundër burimit të fuqisë së vet duke e refuzuar thirrjen e tij për autoritet moral.

Ky gabim, si hap i parë në veprim, është i pashkak, megjtihatë nuk është se nuk ka gjasa të ndodhë. Më së pari, Agamemnoni vuan nga paradoksi i autoritetit: autoriteti duket se të jep pushtet të bësh çdo gjë përveç asaj që zotëruesi do të bëjë për veten e vet. Sikurse e thotë më vonë Agamemnoni, pak a shumë me një çiltërsi prekëse, ai e mbajti vajzën sepse ajo i pëlqente. (I. 112-15). Porse bash sepse ai është mbret, Agamemnonit nuk i lejohet që të merret me gjëra personale; ai ka më shumë pushtet se njerëzit e tjerë por më pak liri. Kjo enigmë ka bërë të vramenden njerëz më të zgjuar se Agamemnoni.

Së dyti, kërkesa e priftit e vë Agamemnonin përballë një situate të dykuptimshme. Duke e mbajtur vashën, ai kufizon pushtetin e tij; por nëse e dorëzon, ai po kështu, në një aspekt tjetër, do të kufizonte pushtetin e vet. Vasha ishte trofeu i tij nga ajo që u nda; ajo është shenjë e statusit të tij, prova që tregon se Agamemnoni është luftëtar mbi luftëtarë. Duke humbur trofeun e tij; ai, i cili supozohet të jetë figura më e lartë, Agamemnoni humbet këtë status. Sikurse thotë më vonë:

Por ju shpërblimin shpejt ma bëni gati,

Pse hije s’ka…

(I. 118-19)

(Përkthim i Gjon Shllakut)

Në shoqërinë homerike, autoriteti sigurohet nga ushtrimi i autoritetit dhe statusi nga demonstrimi i statusit. Statusi dhe autoriteti i Agamemnonit, sikurse e pamë, janë të nevojshme për funksionimin e bashkësisë. Agamemnoni kësisoj mund të deklarojë me të drejtë se duke refuzuar kërkesën e gjindjes ai në të vërtetë po vepron në emër të tyre. Ai kësodore tregon se e kontrollon situatën dhe në këtë mënyrë postin e mbretit.

Sigurisht që Agamemnoni nuk e kontrollon situatën; refuzimi i kërkesës për lirim nga prifti e fut atë në konflikt me Apolonin. Gabimi i Agamenonit qëndron në atë se ai nuk mundet që ta kuptojë fuqinë e forcave kundër tij. Ai nuk arrin të përballet si duhet me një nga situatat më të vështira me të cilat mund të përballet një autoritet: një situatë në të cilën duhet që të lëshosh udhë menjëherë, para se gjërat të keqësohen, dhe kjo do të kushtojë shumë më shtrenjtë.

Gabimi i Agamemnonit është shaku i murtajës; murtaja bën që të mblidhet kuvendi i cili shndërrohet në skenën e shfaqjes së mënisë, zemërimit. Ky kuvend është kurdisur nga Hera “iu dhimsën shumë danájt tek pa që të vdisnin” (I. 56). Hera sidoqoftë, nuk shtie në kryet e Agamemnonit mendimin për të thirrur kuvendin për të kërkuar ndjesë; por nguc Akilin kundër tij. Ky është një gabim procedurial; kuvendet pritet që të thirren nga mbretërit. Pse e bën Hera këtë gabim? Poeti nuk na e dëften këtë. Dy arsye na vijnë në mendje; së pari, kuvendi bëhet që të debatohet për gabimin e Agamemnonit. Kësisoj Hera mund të ketë menduar se nuk do të qe e përshtatshme që ai ta kërkonte këtë. Së dyti, Akili është më afër perëndive se heronjtë e tjerë, dhe Hera mund ta ketë pasur thjesht më të natyrshme që të shkojë tek ai. Të dyja janë arsye të këqija; ato burojnë dhe shërbejnë për të zmadhuar anomali të cilat Hera duhet të shqetësohet për t’i zvogëluar. Agamemnoni është i kërcënuar nga gabimi i tij si dhe nga statusi rivalizues i Akilit; që bashkësia të jetë e sigurtë, Agamemnoni duhet të mbështetet, dhe jo të sulmohet edhe më shumë. Kësisoj Hera (sikurse ndodh shpesh) me përpjekjet e saj për të qetësuar një situatë në të vërtetë e acaron atë më shumë duke e përkeqësuar.

Ky kuvend është thirrur për të ndrequr gabimin e mëparshëm të Agamemnonit. Me qëllim që kjo të ketë kosto minimale sociale, Agamemnoni duhet të gjej forcën për t’u tërhequr qetësisht dhe me dinjitet; ndërsa Akili duhet ta mbështesë. Të dy këta burra janë jashtëzakonisht të keqpajisur për rolet të cilat duhet të luajnë. Pos kësaj, situata nuk mund të zgjidhet pa ndihmën e Kalkantit. Kalkanti, parashikuesi i të ardhmes, është një figurë tjetër problematike; sikurse prifti, ai ka një status të ulët por zotëron një fuqi të madhe, jo për shkak të ndikimit e tij te perënditë por për shkak të njohurive që ka për ta. Kalkanti, në fakt, është një ekspert, dhe ekspertët gjithmonë kanë qenë problematik për autoritet; sikurse mjeku i tiranit, Kalkanti, në fushën e tij, ka pasur të drejtën për të këshilluar eprorët e tij. Kalkanti është i vetëdijshëm për pozicionin e tij problematik; ai e di që autoritetet nuk kënaqen t’u tregosh të vërteta të papërshtatshme për ta. Kalkanti kësisoj i kërkon mbrojtje Akilit, dhe Akili ia premton këtë. Akili kështu, në emër të Kalkantit të paktën, e shpall veten të pavarur nga Agamemnoni. Akili, duke thirrur kuvendin dhe duke e hapur atë sikurse ndodh, përbën një kërcënim për pozitën e Agamemnonit.

Kështu që, kur Agamemnoni merr radhën për të folur, ai është tanimë i vendosur të luftojë. Ai e sheh veten duke u përpjekur të bëjë shumë gjëra në të njëjtën kohë: të përligj veten, të tërhiqet nga ajo që ka vendosur më parë, dhe të riafirmoj autoritetin e tij. Po të kemi parasysh ngatërresën në të cilën është tanimë, e bën këtë jo keq. Ai jep porosi për kthimin e bijës së priftit dhe blatimin e flive për Apolonin; ai kësodore merr në kontroll situatën pas shlyerjes së gabimit të tij dhe ushtron autoritet duke pranuar keqpërdorimin e forcës së tij. Ai, sidoqoftë, kërkon që të kompensohet për këtë. Kjë përbën një gabim fatal, jo për faktin se kërkesa është e paarsyeshme, por se Agamemnoni nuk është personi i duhur për ta kërkuar këtë. Nestori dhe Odiesa duhet të ngriten dhe ta kërkojnë këtë, mbështetur në shpirtmadhësinë e mbretit, princërit dhe gjindja nuk do të donin që ta shihnin mbretin pa trofe. Duke e bërë këtë kërkesë në emrin e tij, Agamemnoni duket më shumë të bëjë një kërkesë personale se sa zyrtare, për shkak të lakmisë individuale se sa ruajtjen e pasurisë dhe statusit të tij. Ai e nxjerr veten zbuluar ndaj akuzave të lakmisë për kamje, dhe Akili menjëherë e bën duke e akuzuar atë për këtë (I. 122).

Kjë përbën fillimin e një debati të ashpër e cila prej këtu vijon si jehonë e kësaj zatetjeje ndërsa të dyja palët rrisin zemërimin e njëri-tjetrit. Agamemnoni nuk thotë në fillim se do të marrë trofeun e Akilit; ai thotë se mund të marrë të dikujt tjetër - Akilit ose të ndonjë tjetri. Akili duke e marrë këtë kërcënim si të drejtuar bash kundër tij, kërcënon që të kthehet në shtëpi. Agamemnoni, në një mënyrë a një tjetër, bëri që Akili ta ndiejë kërcënimin e tij, i thotë se mund të kthehet nëse do, dhe premton që do t’ia marrë atij Briseidën; ndërsa e sheh veten të kërcënuar nga rebelimi dhe dezertimi, ai nuk gjen mënyrë tjetër për të rifituar kontrollin e situatës. Akili, ndërkohë e ndan mendjen për ta vrarë Agamemnonin.

Të dy burrat janë sjellur keq por në mënyra të ndryshme. Akili ka folur dhe vepruar pa u menduar; si gjithmonë, ai vë re diçka dhe me të merret menjëherë, ndien një emocion dhe e shfaq atë në çast. Agamemnoni sillet keq në një mënyrë më të fajshme, në faktin se keqsjellja e tij përbën më shumë se një reagim ndaj situatës; ai bën gabim gjatë përpjekjes për t’u përballur me situatën. Mëria e Akilit është më spontane, e Agamemnonit më sistematike; Agamemnoni e trupëzon mërinë e tij nëpërmjet një padrejtësie të qartë: marrjen e Briseidës Akilit.

Më vonë Agamemnoni ia mvesh gabimin e tij Atjës (IX. 115-20). Atja është një lloj verbërie morale ose aftësi e dëmtuar dukshëm; është emri që tregon një gjendje që e zotëron një njeri në një situatë të caktuar. Në ligjëratën e tij të ndjesës në kuvendin e pajtimit Agamemnoni thotë:

nuk jamë unë shkaktari

por Zeusi i madh e ora e ligë Erinia,

që nëpër hijet e gjaksive endet,

egërsisht mendjen ata ma verbuan n’kuvend

atë ditë që i hoqa Akilit vashën

ǒtë bëja i ziu, hyjnitë këtë punë kurdisën,

e mbi të gjithë e ndritshmja bijë e Zeusit

Atja kobzeza që në qafë merr njerëzit.

Me këmbët e lehta bredh në tokë pa çikur,

endet fluturimthi përmbi kryet e njerëzve,

njërin e tjetrin i lidh me veriga

(XIX. 86-94)

(Përkthim i Gjon Shllakut)

Agamemnoni pastaj rrëfen një histori të gjatë se si Zeusi vetë një herë ishte pre e Atjas dhe ai në kulmin e zemërimit e flaku nga selia e perëndive, kështu që ajo tani sillet mes njerëzve.

Duhet vënë re që Agamemnoni nuk po shmang përgjegjësinë; përkundrazi, të dyja herët që i referohet Atjas merr përgjegjësinë e plotë dhe ofron shlyerjen e fajit. Ai nuk po përpiqet që të mohojë gabimin e tij por ta përshkruajë atë. Duhet vënë re gjithëpoaq se Zeusi në historinë që rrëfehet bëhet pré e rrengut të Herës me anë të cilës ajo e bën të thotë diçka të cilën ai nuk ka pasur ndërmend ta thotë. Zeusi, sipas gjykimit tonë, nuk bën ndofarë të pabëre; ai bën një gabim sepse nuk ka zgjuarsinë të kuptojë se çfarë po ndodh me të.

Dhe, thotë Agamemnoni, kjo është pikërisht ajo që ndodhi në rastin e tij. Veprimi i tij ishte menjëmend gabim por në një këndvështrim ai u imponua nga vetë situata. Në kuvend, ngjarjet ndodhën me një shpejtësi të tillë sa ai, sikurse thuhet në të tilla raste, “siç e nisi e bitisi”; u mashtrua nga situata. Veprimi i tij sipas gjuhës Aristoteliane, ishte një veprim që zanafillon jo tek një e metë e karakterit, por më shumë gabimi i një njeriu relativisht të mirë, gabim që një njeri mund ta bëj në situata të tilla, sipas gjasave ose nevojës. Dhe gjatë zhvillimit të kujdesshëm të skenës, poeti na paraqet një analizë të kushteve të atilla; na shfaq gjasat dhe nevojat të cilat të shpien tek gabimi. Agamemnoni, ndërsa përpiqej të vepronte me fisnikëri dhe si duhet, veproi pandershmërisht dhe në mënyrë të padrejtë - sidoqoftë ne e shohim qartësisht se si ai mbërriti në këtë pikë. Gabimi i Agamemnonit është kësodore mishërim i dykuptimshmërisë dhe kundërshtive të asaj kulture-kundërshti që dalin në pah në situata të tendosura. Gjendje të vështira shkaktojnë zbatimin e ligjeve të këqija, dhe mbretër të këqinj.

Kur Akili vendos për të vrarë Agamemnonin, ndërhyn Athinaja. Pjesa tjetër e historisë lind nga ky parandalim hyjnor i veprimit të Akilit. Mëria e Akilit nuk shfaqet në mënyrë të drejtpërdrejtë por në një mënyrë shumë të tërthortë; Thirrja e Akilit drejtuar Tetidës vë në zbatim planin e Zeusit. Kësisoj gabimi fillestar zgjerohet derisa përfshin me pasojat e tij rrënuese Trojën dhe udhëheqësin trojan, Hektorin. Tragjedia vazhdon.

Përktheu: Granit Zela

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›