Një faqe e re me fqinjët
Alban Tartari
Kosova dhe Shqipëria janë të detyruara tashmë që të rishikojnë lidhjet, komunikimin, marrëveshjet, bashkëpunimin pra në thelb gjithë bashkëjetesën me dy nga fqinjët e tyre në Ballkan, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Me gjithë rezervat, pakënaqësitë reciproke, mosmarrëveshjet apo problemet e pakicave përkatëse, katër vendet duhet të shikojnë mundësinë e çeljes së një faqeje të re në rrugëtimin evropian të tyre.
Vendimi i fundit i ardhur në mënyrë të sinkronizuar mes Shkupit dhe Podgoricës ishte një hap i pritur, por i shtyrë në kufijtë e vonesës nga presioni dhe frika serbe. Të dy këto vende, dhe sidomos Mali i Zi, kanë pakica dhe qarqe pro serbe brenda tyre me një ndikim të madh në vendimmarrje dhe qeverisje. Por duket se në fund ka mbizotëruar fryma perëndimore e çështjes kosovare; Mali i Zi dhe Maqedonia e bënë të qartë anën e tyre! Ata dëshirojnë të shkëputen nga mbizotërimi ruso-serb, duke përqafuar politikën e Bashkimit Evropian (të 22 vendeve nga 27 gjithsej) dhe të NATO-s, e cila e çliroi Kosovën nga gjenocidi serb. Të dy vendet kanë qenë nën një presion konstant që nga 17 shkurti nga faktori shqiptar brenda tyre, por edhe nga qarqet amerikane dhe evropiane. Por nga ana tjetër ka pasur edhe kërcënime të hapura. Vetëm pak ditë më parë, ministri i Jashtëm serb, Jeremiç, tha se “njohja e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi do të ishte një thikë pas shpine për Serbinë”.
Por me gjithë pakicën e konsiderueshme serbe në Mal të Zi, me gjithë lidhjet e vjetra dhe mundësisë së ftohjes (dhe humbjes së turistëve) Podgorica ka ndërmarrë një hap kurajoz dhe të guximshëm. Për këtë arsye, ndonëse me status ende të paqartë të shqiptarëve në këtë vend - ata ishin mbështetësit përcaktues të pavarësisë së Malit të Zi – Prishtina dhe Tirana duhet të fillojnë të komunikojnë ndryshe me këtë vend. Ai është pozicionuar qartas në krah të të drejtës së shqiptarëve dhe kjo duhet përshëndetur.
Edhe fqinji tjetër, Maqedonia, nuk e ka pasur të lehtë njohjen. Me një president që cilësohet si pro-serb, me një frikë në rritje ndaj forcimit të komunitetit shqiptar atje, me një paqartësi fqinjësie sidomos me Greqinë e po ashtu me Serbinë, Shkupi dha një vendim të vështirë. Partitë politike shqiptare atje më shumë e vështirësuan sesa e ndihmuan zgjidhjen e çështjes, duke e përdorur thjesht për interesa të ngushta politike dhe jo kombëtare. BDI duket se doli e fituara në këtë mes, pasi aktualisht ndodhet në qeverinë e Maqedonisë.
Njohja e pavarësisë së Kosovës nga këto dy vende vjen në një kohë të vështirë për pavarësinë kosovare, pasi Beogradi ka arritur tashmë një plus në sy të OKB-së, duke e çuar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Megjithatë, mozaiku ballkanas ka anuar që nga dje në favor të Kosovës. Shqipëria, Turqia dhe Sllovenia të parat, Hungaria, Bullgaria dhe Kroacia të dytat dhe së fundi Mali i Zi dhe Maqedonia, përbëjnë shumicën krahasuar me Serbinë dhe Rumaninë kundërshtare kategorike të pavarësisë dhe Greqinë si kundërshtare e butë, por që njohu së fundi pasaportat e shtetit më të ri në botë. Bosnja mbetet ende e dyzuar për shkak të fuqisë së madhe te Republika Srpska-s brenda saj, por Federata Muslimano-Kroate është pro pavarësisë.
Është koha për një politikë të re fqinjësie dhe bashkëjetese. Dhe është radha e shqiptarëve të japin provën e tyre të vështirë, atë të tejkalimit të vetvetes.