E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen 12 kile heroinë brenda 24 orëve

 

Dashamir Biçaku 

Në harkun kohor të 24 orëve, policia zbuloi në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës dy ngarkesa me një total prej 12 kile heroinë, duke arrestuar edhe dy persona të përfshirë në trafik. Blenard Grembi, 26 vjeç, me profesion taksist nga fshati Zharrëz i Fierit, është vënë në pranga nga oficerët e policisë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Gjatë kontrollit, në makinën e tij është gjetur një sasi prej 4 kile e 125 gramë lëndë narkotike. Sipas burimeve të policisë mësohet se fillimisht sasia e drogës ishte cilësuar e gjitha si heroinë, por dje specialistët shkencorë përcaktuan se dy kilogramë nga lënda mund të jenë heroinë ndërsa pjesa tjetër mund të jetë drogë e llojit kokainë. Zyrtarisht, policia pohoi se droga e kapur ishte heroinë, por analizat kimike, mund të nxjerrin se lënda narkotike mund të jetë më e vlefshme nga sa është menduar, për shkak të vlerës së lartë të kokainës. I arrestuari Blenard Grembi po ndiqej nga oficerët e Seksionit të Antidrogës në Policinë e Shtetit prej më tepër se një muaji pasi ishte identifikuar si person i përfshirë në një linjë të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë. Operacioni për kapjen e tij është kryer të mërkurën në mesditë ndërsa ai ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij në drejtim të Greqisë. Pa kaluar ende 24 orë nga bllokimi i sasisë drogës, që u kap mesditën e të mërkurës, mëngjesin e djeshëm Antidroga ka kryer një tjetër goditje, po në pikën e kalimit kufitar me Greqinë në Kakavijë. Bardhyl Dulla, 41 vjeç, nga Berati, është arrestuar nga oficerët e antidrogës me 8 kilogramë heroinë, pasi edhe ai ishte nën vëzhgim prej disa javësh. Policia nuk ka bërë të ditur detaje mbi hetimin, por burimet pohuan se droga mund të ishte marrë në qytetin e Fierit, ndonëse i arrestuari ishte nga Berati. Ai është kapur me mjetin e tij, një fugon të markës “Mercedez- Benz”, me të cilin punonte si taksist në Berat. Bashkë me të arrestuarin, sipas policisë, është shoqëruar edhe një person tjetër, Kadri.Dh. Lënda narkotike ishte fshehur në pjesët anësore të automjetit, ku edhe u gjet gjatë kontrollit në makinë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Pas ndalimit të drejtuesit të makinës, policia ka shoqëruar edhe pasagjerin Kadri Dh, për ta marrë në pyetje. Gjatë deklarimeve të tij, ky i fundit ka pohuar se nuk ka pasur dijeni mbi veprimtarinë e trafikut të Bardhyl Dullës, pasi më parë nuk e kishte njohur atë dhe ishte thjesht pasagjer në makinë.

Të arrestuar

Blenard Grembi,
26 vjeç
Me 4 kg e 145 gr heroinë
Automjet “Mercedes Benz” me targa Fr 6541 C
500 euro
8.000 lekë të reja,
3 aparate celularë

Bardhyl Dulla,
41 vjeç
Me 8 kile heroinë
Automjet i markës “Mercedez-Benz”
2 aparate celularë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›