Kodi i ri Zgjedhor mund të stimulojë një marrëveshje PS-LSI
Lëvizja Socialiste për Integrim mbetet jashtë komisioneve të numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Komisioni i Reformës Zgjedhore, i drejtuar nga bashkëkryetarët e PD dhe PS, përkatësisht Ilir Rusmali dhe Fatmir Xhafa, ka vendosur që anëtarë të komisionit të numërimit të votave të kenë PS, PD, PSD dhe PR. Të tjerat parti nuk kanë të drejtë të kenë komisionerë. Ky vendim është marrë duke u bazuar te përqindja e votave të fituara nga partitë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 dhe jo ato lokale të vitit 2007, kur LSI mori vota të nevojshme për t’u konsideruar më shumë sesa PSD e PR. Për këtë çështje, nënkryetari i LSI, Dritan Prifti, tha dje se PS ka vënë si kusht për kryerjen e reformës zgjedhore pikërisht përjashtimin e LSI nga çdo komision që administron procesin zgjedhor dhe në këmbim jep mbështetjen për ligjin e prokurorisë të paraqitur nga mazhoranca.
“Ne kemi marrë së fundi një informacion që Partia Socialiste e ka vënë si kusht kryesor për të bashkëpunuar për Reformën Zgjedhore, heqjen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga komisionet e tjera të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pra, ata nuk japin konsensus për reformën, nëse LSI do të ketë anëtarë nëpër komisione zgjedhore”, - tha Prifti. Ndërsa bashkëkryetari socialist për reformën zgjedhore, Fatmir Xhafa, e quajti qesharake deklaratën e Priftit, por tha se reforma është përfunduar dhe mbetet shumë pak për të bërë në dy javët e mandatit të shtuar të komisionit.
“Ka mbetur pjesa për pushtetin vendor, janë rregullimet e fundit dhe disa gjëra që lidhen me një aneks që duhet t’i bashkëngjitet Kodit lidhur me përcaktimin e zonave të administrimit zgjedhor në një qark”, - tha Xhafa.
Marrëveshjet e shkelura
Kërkesa e përsëritur e LSI në tentativat për marrëveshje me dy partitë e mëdha ka qenë pikërisht reforma zgjedhore, një Kod Elektoral që të mos diskriminojë LSI. Një Kod i ri Elektoral që përjashton fenomenin e Dushkut dhe që vlerëson peshën elektorale të LSI, pikërisht me anëtarë në komisione të numërimit të votave, është kërkesa e përsëritur e Metës në marrëveshjen me PS.
Kjo kërkesë ishte arsyeja kryesore që uli Metën në tavolinë me kryeministrin Berisha në dhjetor të vitit 2005. Në atë takim, kryetari i LSI, Ilir Meta, mori premtimin e kreut të mazhorancës se Kodi i ri Zgjedhor nuk do ta penalizojë LSI. Por vendimi i marrë nga Komisioni i Reformës Zgjedhore penalizon fort LSI. Në këtë situatë, Ilir Meta i LSI do të reagojë ndaj atyre që shkelën marrëveshjen dhe nuk bëhet fjalë vetëm për Edi Ramën e PS, por edhe për Sali Berishën e PD.
Ndoshta do të ketë edhe protesta, pasi kështu shprehen burime pranë LSI.
Lënia e LSI jashtë komisioneve të numërimit të votave sjell një situatë të re në politikën aktuale. Krerët e kësaj partie kanë deklaruar se do të luftojnë fort ndaj dy partive të mëdha, por PD e PS kanë votat e nevojshme për të lënë jashtë LSI, dhe kësaj të fundit duket se nuk i mbetet veçse të shikojë mundësitë e bashkëpunimit me njërën për të shkatërruar tjetrën. Në zgjedhjet e vitit 2005, roli i LSI ishte vendimtar për rezultatin e zgjedhjeve. Asokohe, LSI kishte peshë më të vogël elektorale se ç’pritet të ketë në zgjedhjet e vitit 2009.
Nëse LSI vendos të bashkëpunojë me PS, atëherë rrezikohet fitorja e PD, pasi opozita hyn e bashkuar në zgjedhje. Një marrëveshje e tillë duket e pamundur për momentin, pasi marrëdhëniet mes dy partive janë mjaft të acaruara, por përvoja ka dëshmuar se një marrëveshje e tillë është e mundshme. Në zgjedhjet vendore të vitit 2007, ishte e njëjta situatë. Para-fushata u shoqërua me luftë politike ndërmjet dy partive, por në prag zgjedhjesh krerët e dy partive vendosen bashkëpunimin, duke mbërritur fitoren në qytetet e mëdha. Nëse do të ndodhë kjo, pra të ketë një marrëveshje PS-LSI, Edi Ramës i hapën shumë shtigje për të “pastruar” partinë nga ata që nuk i do.