E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Dy kompani të tjera të Fazlliç janë shitur në mënyrë fiktive

Nga L.Progni

Partia Socialiste deklaroi dje se dhe dy kompani të tjera të Damir Fazlliç në Shqipëri janë shitur në mënyrë fiktive, ndaj dhe duhet të hetohen.

Nënkryetari i grupit parlamentar të kësaj partie, Erion Braçe, tha dje se deri më tani është folur për kompaninë “Crown Acquisitions”, por dhe dy kompanitë e tjera kanë të njëjtin fat dhe i janë shitur vetë Fazlliçit. Braçe tha se administrator i këtyre kompanive, para dhe pas shitjes, është Erion Isufi, kunati i ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha.

“Deri më sot është folur vetëm për nj kompani në Shqipëri të shtetasit Damir Fazlliç, tashmë nën dyshime edhe të provuara për evazion fiskal, pastrim parash, etj., pra, është folur vetëm për kompaninë “Crown Acquisitions”. Në fakt janë dhe dy kompani të tjera të regjistruara në Shqipëri me aktivitet të gjerë në Shqipëri dhe natyrisht të shitura njësoj si kompania “Crown Acquisitions” po prapë në Shqipëri. Bëhet fjalë për kompanitë “SRS Developments” dhe “Virtu Acquisitions”, të themeluara në Tiranë dhe të regjistruara në të njëjtën ditë po prapë në Tiranë, të cilat kanë për aktivitet të tyre të paraparë në statutin e tyre atë të pjesëmarrjes në shitje-blerje të pronave të paluajtshme, studime ambientale e të tjera si këto. U ndala te këto dy kompani, për shkak se këto kompani janë ndërtuar në shtator dhe janë shitur pas dy muajsh po prapë në Shqipëri. U ndala te këto kompani, sepse pronari të dyja kompanive është po përsëri Damir Fazlliç dhe administrator i dy kompanive që në ditën e parë të tyre ka qenë Erion Isufi. Madje, në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit Erion Isufi figuron deri në datën 28 shtator të këtij viti po prapë administrator dhe përfaqësues ligjor i kompanisë “SRS Developments”. Ky është dokumenti i dalë nga QKR. Pra, zotëria figuron administrator në momentin e regjistrimit të kësaj kompanie, figuron administrator dy muaj më pas, kur kjo kompani ka shitur aksionet e saj pa asnjë ditë aktivitet gjatë këtyre dy muajve dhe figuron administrator edhe pas shitjes së kësaj kompanie apo shitjes 50 për qind të aksioneve të kësaj kompanie. E njëjta gjë ndodh edhe me kompaninë tjetër “Virtu Acquisitions”. Edhe kjo me të njëjtën fushë veprimi, me të njëjtën datë regjistrimi, me të njëjtën ditë shitje të 55 për qind të aksioneve, edhe kjo e administruar nga Erion Isufi sipas të gjitha dokumenteve të gjykatës së Tiranës të certifikuara nga noterët dhe natyrisht sipas vërtetimeve të nënshkruara po prapë nga administratori i kësaj kompanie, sipas statutit të saj, Erion Isufi”, - tha Braçe. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS e quajti të nxituar vendimin e prokurorisë për të liruar llogaritë e Isufit. “Në dritën e këtyre fakteve çdo specialist do ta kishte gjykuar si kriminale ndërhyrjen, presionin dhe dhunën e kryeministrit, Sali Berisha, ndaj prokurorisë, me qëllim heqjen e bllokimit për gjurmimin e ligjshëm të veprimeve financiare dhe kontabël në llogaritë e shtetasit Erion Isufi. Presion që është sot maksimal dhe po kaq kriminal dhe i dhunshëm është çlirimi nga ky gjurmim i ligjshëm për veprimet financiare qoftë edhe kontabël në të njëjtat kompani të shtetasit Damir Fazlliç. Cilido specialist do ta kishte konsideruar si të nxituar dëshirën e prokurorisë për të liruar nga gjurmimi i ligjshëm për llogari të shtetasit Erion Isufi veprimtari të tij nën rrebeshin e provave përvëluese për të”, - tha Braçe.

“Nisur nga pohimi i bërë para disa ditësh nga avokatja Argita Malltezi se ka ofruar vetëm shërbime ligjore në cilësinë e klientin ndaj Fazlliç, si dhe duke shfrytëzuar gatishmërinë e saj për transparencë dhe për të dëshmuar lidhur me këtë çështje, gjë e vlerësuar prej nesh, do doja të merrnim shpjegimet e saj, nëse ka ofruar shërbimin e saj ligjor në këto dy shitje të reja të dy kompanive të shtetasit serbo-boshnjak, Fazlliç.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›