E Diel, 1 Nëntor 2026

KE i jep Kosovës 122.7 milionë euro



Komisioni Europian dhe Kosova nënshkruan dje në Prishtinë një Marrëveshje Financiare për të siguruar 122.7 milionë euro për zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës sipas programit vjetor të Komisionit, Instrumentit për Para-Anëtarësim 2008. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Komisioneri për Zgjerim Oli Rehn vizita e tij në Prishtinë u bë për të treguar sa shumë kujdeset Komisioni, për të ardhmen europiane të Kosovës. “122.7 milionë eurot e dedikuara për projektet që synojnë përmirësimin e jetës së përditshme të njerëzve në Kosovë janë një shenjë e fuqishme e përkushtimit tonë. Autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë një menaxhim të shëndoshë ekonomik, të vazhdojnë disiplinën fiskale dhe koordinimin efikas të donatorëve për ta bërë këtë zotim një sukses të vërtetë”,- tha Rehn. 122.7 milionë eurot do të përdoren për realizimin e 20 projekteve. Ato trajtojnë një varg çështjesh, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe mbështetjen për media dhe shoqërinë civile.

Sllovakia përgënjeshtron Thaçin: “Nuk i njohim pasaportat e Kosovës”
Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovakisë ka përgënjeshtruar pohimin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se ky shtet ka filluar t’i njohë pasaportat e Republikës së Kosovës. “Pranojmë vetëm dokumentet e lëshuara nga administrata ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara në Kosovës”,- ka deklaruar për gazetën “Hospodarske Noviny”, zëdhënësi i kësaj ministrie, Jan Skoda. Megjithatë pasaportat e Kosovës janë njohur nga Hungaria dhe Letonia. Në një njoftim që e ka marrë Kabineti i Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës nga Ambasada e Hungarisë në Prishtinë dhe në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Letonisë, bëhet e ditur se këto dy shtete e njohin pasaportën e Republikës së Kosovës.

Bosnjë, bombë qendrës tregtare, 1 i vdekur, 3 të plagosur

Një shpërthim në një qendër tregtare në qendër të Bosnjës ka shkaktuar vdekjen e një shtetasi dhe plagosjen e tre të tjerëve. Burimet policore bënë të ditur se shpërthimi ndodhi dje në mesditë rreth orës 12:40 lokale, në një nga qendrat më të mëdha tregtare të vendit, FIS Vitez, 80 kilometra në veriperëndim të Sarajevës. Të parat që raportuan lajmin ishin mediat lokale.
“Një person, roje i qendrës tregtare u vra dhe tre të tjerë u plagosën. Njëri prej të plagosurve ndodhet në gjendje të rëndë”,- deklaroi në televizionin kombëtar FTV, një zëdhënës i policisë, Sefir Barucija. “Nuk dihet ende nëse mjeti shpërthyes u hodh brenda qendrës tregtare, apo ishte vendosur atje dhe u aktivizua në distancë”, tha zëdhënësi. Barucija saktësoi se policia kishte marrë javën e kaluar një njoftim të rremë për vendosjen e një bombe në këtë qendër tregtare. Ndërsa për shpërthimin e djeshëm nuk u bë asnjë telefonate anonime. Policia po heton për motivet e shpërthimit dhe autorët e mundshëm.

10 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›