E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokumentari gjerman, “Shqipëria, sekreti i fundit i Europës”



“Shqipëria, sekreti i fundit i Europës”, titullohet dokumentari më i fundit i prodhuar në vendin tonë nga një grup televiziv gjerman, nën drejtimin e regjisores Ute Verner. “U befasuam që në ditën e parë të filmimeve tona në Tiranë. Jeta në qytet pulson me ritëm si ne çdo metropol tjetër europian, rrugët janë të mbushura me Mercedese, qyteti është i mbushur me kafene e restorante. Blloku, ish-lagjja e anëtareve te byrosë politike, sot është kthyer ne vendin ku takohen dhe argëtohen te rinjtë e Tiranës” – thotë regjisorja Verner. Muajt e fundit, ajo bashkë me një grup pune kanë kryer filmime në zonat më interesante të Shqipërisë, për të bërë kështu një dokumentar, i cili do të transmetohet më 22 tetor në kanalin televiziv gjerman “SR/Suedwestfernsehen”, pjesë a kanalit më të madh publik gjerman ARD. Po çfarë teksti përmban ky dokumentar gjerman mbi Shqipërinë? Ja një pasazh i shkurtër mbi Tiranën: “Sheshi Skënderbej, shumë shpejt do të lirohet nga trafiku i makinave sepse do të fillojë rikonstruktimi i tij... Kryebashkiaku i qytetit, i cili para se t’i futej politikës ka qenë piktor, i ka dhënë qytetit tani ngjyra të freskëta dhe pamje sfiduese...” Punët për xhirimin këtij dokumentari (45 minuta i gjatë), që do shfaqet në stacionin televiziv që përmendëm më parë, në kuadrin e rubrikës “Udhëtime”, filluan gjatë gjysmës e dytë të qershorit në kryeqytetin shqiptar, për të vazhduar me filmimin e perlave natyrore të Veriut, Liqenit të Komanit, Alpet e Shqipërisë, Durrësin, Pogradecin, Liqenin e Ohrit dhe rivierën e mrekullueshme të Jugut. Ky ishte një projekt që u organizua dhe zbatua nga redaktorja Ute Verner në bashkëpunim me Shoqatën Gjermane për Bashkëpunim Teknik në Shqipëri, e cila është e angazhuar edhe me projektet për nxitjen e turizmit.
P. GROSI

10 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›