Flamurtari-Shkumbini 1-4, poker i Roland Dervishit

Roland Dervishi ishte kryeheroi i ndeshjes Flamurtari-Shkumbini. Futbollisti peqinas shënoi plot katër herë në portën e vlonjatëve duke sigluar edhe fitoren më të thellë të realizuar në ndeshjet e para cerekfinale. Shkumbini fitoi 4-1 në transfertën me Flamurtarin që u luajt në stradiumin "Adush Muca" të qytetit të Ballshit. Roland Dervishti shënoi i pari për skuadrën e Shkumbinit në minutën e 11-të, por pas vetëm nëntë minutash u kundërpërgjigj sulmuesi i Flamurtarit, Fjodor Xhafa (20'). Vetëm nëntë minuta të tjera zgjati barazimi 1-1, pasi Roland Dervishi e kaloi për herë të dytë në avantazh skuarën e Vasil Bicit. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-1, ndërsa në të dytë vazhdoi dominimi i Shkumbinit, dhe sërish me protagonist Roland Dervishin. Në të 85' sulmuesi peqinas shënoi nga pika e bardhë e penalltisë golin e tretë, ndërsa dy minuta më pas në të 87', Dervishi (gjithmonë ai) katërfishoi rezultatin. Kjo ishte dhe fitorja e parë e Shkumbinit pas katër humbjeve rresht në Superligë. Për ciftin Shkumbini-Flamurtari kjo ishte përballja e pestë gjatë Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që peqinasit kanë tashmë tri fitore kundrejt dy të Flamurtarit. Gjithsesi, ajo që vlen të përmendet është fakti se nga dy përballjet e mëparshme, të kualifikuar kanë qenë vetëm peqinasit, që mesa duket do të kualifikohen sërish për herë të tretë, kur kanë fituar edhe këtë radhë në transfertë me rezultatin bindës 4-1. Sekretari i Klubit të Shkumbinit, Astrit Isaj: "Ishte një meritë e vecantë e Dervishjit, por meritë kishte loja kolektive. Ishte një nga ndeshjet më të mirë që Shkumbini ka zhviluar dhe është një fotokopje e ndeshjeve të javëve të para në kampionat. Unë them se fitoi loja e grupit". Kjo ishte edhe një fitore e bukur në ndeshjen e 75-të të Shkumbinit në Kupat e Shqipërisë.