E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Sporti mbetet viktimë e politikës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka mirëpritur hapjen e kampit “Milan Juior Kamp”, duke thënë se kjo paraqet një iniciativë të jashtëzakonshme me të cilën shtohen mundësitë për futbollin e Kosovës.

Pas takimit që kishte të dielën me legjendën e futbollit Franco Baresi, ministri Krasniqi ka thënë se interesimi për talentet e rinj është me rëndësi në përgjithësi për futbollin e Kosovës.

“Prezenca e zotit Baresi është vlerë e shtuar e këtij kampi, është një inspirim për gjithë këta fëmijë që do të marrin pjesë në këtë kamp. Unë u dëshirova punë të mbarë pa e lënë anash që pesë fëmijë më të mirë do të shkojnë në “San Siro” për të garuar me fëmijët e tjerë nga gjithë bota. Ajo që është më e rëndësishme për mendimin tim është që ky moment do të frymëzojë të rinjtë tanë, duke treguar se mundësitë për futbollin kosovar janë duke u shtuar dhe se e ardhmja do të jetë më e mirë”,ka theksuar ministri Krasniqi.

Nga ana e tij futbollisti Franco Baresi ka thënë se hapja këtij kampi është një iniciativë e rëndësishme pasi vetë ai ka dëgjuar se Kosova ka shumë talent potencial për futboll.

“Hapja e kampit është një iniciativë shumë e rëndësishme. Duam që këta të rinj të rriten dhe zhvillohen në futboll. Kam dëgjuar se këtu ka talent dhe potencial për futboll. Dua ta falënderoj të gjithë që kanë mundësuar hapjen e këtij kampi”, ka thënë ai.

Ndërsa i pyetur për ndërkombëtarizimin e sportit, ministri Krasniqi ka thënë se sporti kosovar vazhdon të mbetet viktimë e politikës dhe ka kërkuar ndihmë nga miqtë e Kosovës për ndërkombëtarizimin e tij.

“Sporti ende mbetet viktimë e politikës gjë që nuk do të duhej të ishte ashtu. Normalisht e njoftova edhe zotin Baresi që kjo shkakton vështirësi të mëdha të sportistëve tanë në veçanti futbollistët, të cilët përkundër talenteve të tyre i kanë mundësitë e kufizuara përveç në ambientin tonë dhe që normalisht ne shpresojmë se të gjithë miqtë e sportit kosovarë do të jenë në gjendje që në momente të caktuara të kthesave të mëdha të na ndihmojnë dhe besoj që do të kemi mundësi që të gjithë ata me të cilët kemi bashkëpunuar deri tash që kanë qenë të predispozuar për të na ndihmuar t’i kontaktojmë për këtë çështje”, ka thënë Krasniqi.

Me këtë rast, ministri Krasniqi i ka dhuruar legjendës së futbollit italian Franco Baresi një fanellë të Kombëtares së Kosovës në futboll me emrin e tij.

Ministri Krasniqi njoftoi se me ndihmën e Komisionit Evropian do të bëhet ndërtimi i gjashtë stadiumeve ndihmëse, të cilat do të jenë një plotësim i jashtëzakonshëm i infrastrukturës së munguar të sportit në Kosovë dhe sipas tij punimet e tyre pritet të fillojnë vitin që vjen. /kp/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›