Flamurtari “ble” Kupën për 100 mijë euro
Një gol inteligjent “in extremis” i 20-vjeçarit Hair Zeqiri (92’) vulosi fitoren 2-1 Flamurtarit ndaj Tiranës në finalen e edicionit të 57-të të Kupës së Shqipërisë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dorëzoi kapitenit kroat të vlonjatëve, Branko Paniç, trofeun e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në vend, njëherësh edhe i treti në historinë 86-vjeçare të Flamurtarit, pas atyre të fituar në vitin 1985 e 1988. Pas tri finaleve të humbura me Tiranën (1983, 1984 e 1996), Flamurtari rikthehet pas 18 viteve me një trofe, duke llogaritur edhe kampionatin e fituar në vitin 1991. Pas 94 minutave lojë në asnjanësin “Niko Dovana”, heronjtë kuqezi kanë të drejtë t’u gëzohen 100 mijë eurove të vendosura si shpërblim për fitimin e Kupës së Shqipërisë nga presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, por dhe një vendi në Ligën e Europës në sezonin e ardhshëm.
Tirana, që për herë të dytë rresht humbet një finale të Kupës së Shqipërisë, ashtu siç bëri edhe një vit më parë në “Ruzhdi Bizhuta” me Vllazninë (0-2), tani i duhet të luftojë fort për titullin kampion në tri javët e fundit të kampionatit, për të mos mbetur ashtu si një sezon më parë pa asnjë trofe. Pas disa përpjekjeve të dështuara me Migen Memellin, Saimir Patushin e Daniel Xhafën, Tirana arriti të gjejë golin në minutën e 42-të. Kapiteni Devi Muka ekzekutoi një goditje të lirë në afërsi të këndit të flamurit, harkimi ishte i lartë në zonë, dhe aty mbrojtësi 29-vjeçar Rezart Dabulla kërceu fuqishëm mbi Çaushajn, duke shënuar me kokë golin për Tiranën. Me fraksionin e parë të mbyllur në avantazh dhe një kualitet më të mirë lojtarësh, trajneri Agustin Kola, besoi se mund ta kishte nën kontroll lojën, kur me fillimin e pjesës së dytë hodhi në fushë mesfushorin Gjergji Muzaka në vend të mbrojtësit Tefik Osmani, për të hedhur më pas në vend të Saimir Patushit, Jetmir Sefën.
Në minutën e 65-të, Beqiri i shpëtoi mbulimit të Dabullës, më pas shmangu edhe ndërhyrjen e Abrahamit, Nallbani doli nga porta; lojtari i Flamurtarit i dhuroi pasin e artë sulmuesit Devis Mema, dhe ky i fundit i lirë para kuadratatit të portës, bëri punën më të lehtë, duke shënuar golin e barazimit 1-1, çka hapi dhe ndeshjen. Kur të gjithë prisnin të luanin shtesat, në minutën e 92-të takimit Hair Zeqiri galopoi fuqishëm drejt zonës bardheblu, duke poshtëruar Nallbanin me topin e kaluar mes këmbëve, e vulosur përfundimisht rezultatin 2-1 e fitimin për herë të tretë të Kupës së Shqipërisë nga ana e Flamurtarit.
SHORTI
Përpara fillimi të takimit u hodh dhe shorti për të përcaktuar gjyqtarin e ndeshjes. Midis tre kandidaturave, Sokol Jarecit, Albano Jankut (që të dy ndërkombëtarë) e Bardhyl Pashajt, “goglat” zgjodhën këtë të fundit për të drejtuar finalen.
BANDEROLA
Në qendër të karshisë së “Niko Dovanës” ishte vendosur nga tifozeria vlonjate një banderolë shumë kuptimplote: “Flamurtari: Gjigand. I paepur. Krenar. Absolut”, që formonte me shkronjat e para edhe akronimin e mbiemrit të presidentit të Flamurtarit, GJIKA.
100 MIJË EURO
Heronjtë kuqezinj kanë të drejtë t’u gëzohen 100 mijë eurove të vendosura si shpërblim për fitimin e Kupës së Shqipërisë nga presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, por dhe një vendi në Ligën e Europës në sezonin e ardhshëm.
TIRANA-FLAMURTARI 1-2
Shënues: Dabulla 42’/ Mema 65’, Zeqiri 92’
Finalja e Kupës së Shqipërisë. Edicioni i 57-të
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës,
E mërkurë, 6 maj 2009, ora 16:00
Deklaratat
Presidenti i Republikës,
Bamir Topi
“Një fitore e merituar e Flamurtarit. E uroj nga thellësia e zëmrës që ta gëzojë këtë Kupë. Nuk ishte rezultat i vetëm një ndeshje, por i një impenjimi të gjatë”.
Presidenti i Flamurtarit,
Shpëtim Gjika
“Është një ngjarje shumë e bukur. Meritë kanë lojtarët, por dhe dashamirësit. Është diçka e bukur për mua dhe për Vlorën. Do ta festojmë siç e meriton ky trofe”.
Shefi i klubit Flamurtari,
Geri Çipi
“Është kënaqësi ta fitoj në vitin tim të parë si drejtues klubi. Kemi një kontingjent djemsh të mrekullueshëm. Tifozët shkrifuan shumë, por dhe ne nuk i zhgënjyem”.
Trajneri i Flamurtarit,
Eqerem Memushi
“Ia dolëm ta çojmë Kupën në Vlorë. Falënderoj Shpëtim Gjikën. Kishim uri të madhe për ta fituar, pasi një trofe na mungonte prej një kohë të gjatë. Urime të gjithëve”.
Kapiteni i Flamurtarit,
Branko Paniç
“Besuam te fitorja dhe ia dolëm të fitojmë Kupën për ne lojtarët, për tifozët, për Vlorën. Doli edhe parashikimi im Tani të gëzohemi, e më pas të mendojmë për kampionatin”.
Tirana – Flamurtari, golat e finaleve
Tirana e Flamurtari janë përballur midis tyre katër herë në finale: 1983, 1984, 1996 dhe 2009. Tri finalet e para janë fituar nga Tirana, ndërsa e fundit nga Flamurtari. Ja detajet e të gjitha finaleve.
1983. Tirana-Flamurtari 1-0
Në finalen e parë të përfunduar 1-0, të luajtur më 3 shkurt 1983 (“Qemal Stafa”, Tiranë), golin e vetëm të takimit e shënoi Sulejman Mema (27’).
1984. Tirana-Flamurtari 2-1
Në finalen e dytë, atë të luajtur në “Vojo Kushi” (sot “Loro Boriçi”) të Shkodrës, e të përfunduar 2-1 në favor të Tiranës, golat u shënuan nga Arben Minga (14’) e Shkëlqim Muça (44’). Për Flamurtarin shënoi Vasil Ruci (12’).
1996. Tirana-Flamurtari 1-1
Në finalen e tretë, të luajtur më 15 maj 1996, në stadiumin “Selman Stërmasi”, koha e rregullt e shtesat u mbyllën me rezultatin e barabartë 1-1. Viktor Daullja (70’) shënoi për Flamurtarin barazoi Nevil Dede (73’) për Tiranën. Gjuajtjet e penalltive përfunduan 4-3 për Tiranën, golin deciziv e shënoi Malko.
2009. Tirana-Flamurtari 1-2
Në finalen e katërt midis tyre, Flamurtari fitoi 2-1 me Tiranën në “Niko Dovana” të Durrësit. Rezart Dabulla shënoi për Tiranën në minutën e 42-të. Në pjesën e dytë për Flamurtarin realizuan Devis Mema (65’) dhe Hair Zeqiri (92’).
Flamurtari, 11 finalet dhe 3 trofetë në Kupë
Flamurtari, fituesi në fuqi i Kupës së Shqipërisë, në turin e parë Naftëtarin (6-1, 3-2), në të dytin Bylisin (1-1, 2-1), në të tretin Partizani (1-0, në përballjen teke) dhe në gjysmëfinale Shkumbinin (1-0, 1-1). Në finale fitoi me Tiranën me rezultatin 2-1. Flamurtari për herë të parë ka luajtur një finale në vitin 1960, ku humbi të dy takimet me Dinamon, me të njëjtin rezultat: 1-0. U rikthye në finale pas 23 vjetësh, ku humbi me Tiranën në vitin 1983 me rezultatin 1-0. Një vit më pas, 1984, humbi sërish me Tiranën 2-1. Në vitin 1985 fitoi 2-1 me Partizanin (Ruci e Bubeqi, autorë të golave), duke regjistruar edhe trofeun e parë në këtë kompeticion. Në vitin 1987 humbi me Vllazninë 3-0 e fitoi 3-1 me shkodranët, por pa mundur ta fitojë Kupën. Në vitin 1998 fitoi 1-0 me Partizanin (gol i Bubeqit), duke fituar trofeun e dytë. Në vitin 1990 u përball në finale me Dinamon. 120 minutat përfunduan 1-1. Dinamo fitoi me 11-metërsha 4-2. Në vitin 1991, e njëjta situatë u përsërit edhe me Partizanin: 1-1 në lojë dhe 5-3 me penallti. Në vitin 1996, Flamurtari humbi barazoi në finale 1-1 me Tiranën, por humbi me penallti 4-3. Edhe në vitin 1997, Flamurtari humbi po nga pika e bardhë. 120 minutat me Partizanin përfunduan 2-2, ndërsa penalltitë shkuan 4-3 për Partizanin. Në vitin 2009, Flamurtari fitoi 2-1 me Tiranën, golat nga Mema e Zeqiri. Flamurtari e ka fituar tri herë Kupën e Shqipërisë në vitin 1985, 1988 (të dyja kundër Partizanit) dhe 2009 kundër Tiranës. Po tri herë e ka fituar Kupën edhe Teuta e Durrësit.
7 Maj 2009