Majkëll Xhekson, mjekët alarmohen për shëndetin e këngëtarit
Mjekët kanë vënë alarmin: Majkëll Xhekson është dobësuar shumë. Këngëtari 50-vjeçar mendohet se nuk ushqehet si duhet dhe doktorët duken të shqetësuar për shëndetin e tij. Xhekson, i është nënshtruar një kure antibiotikësh, për shkak të një infeksoni në lëkurë, që herë pas here i shkakton dhimbje. Ai vazhdimisht mban një maskë, për të mos qënë në kontakt me viruset. Të gjitha problemet në lidhje me shëndetin, janë bërë pjesë e jetës së tij, por këtë radhë duket se gjendja është rënduar tmerrësisht, duke marrë parasysh humbjen drastike në peshë. Një burim ka deklaruar: “Ekzistojnë disa motive për t’u shqetësuar për shëndetin e Majkëll Xheksonit. Ai është shumë i brishtë në këto çaste. Është këshilluar të hajë më tepër sesa ha rregullisht, por ai refuzon ta bëjë. Ushqehet si një zog i vogël”.
Lejdi Gaga, këngëtarja është frymëzuar nga Bitëllsat
Lejdi Gaga duket se është një fanse e flaktë e Bitëllsave pasi ajo ka dëgjuar këngët e grupit vazhdimisht për gjashtë muaj.
Krijuesja e hitit “Poker Face” thotë se albumi i grupit legjendar “Abbey Road”, ka qenë frymëzim për albumin e saj debutues, “The Fame”. “Nuk e di nëse dikush e di këtë, por kur e kam realizuar “The Fame” dëgjoja vazhdimisht Bitëllsat dhe “Abbey Road”. E kam dëgjuar vazhdimisht për rreth gjashtë muaj”,- ka thënë këngëtarja. “Është tmerrësisht e mrekullueshme, një shije natyrale e kënaqësisë. Është gjithë hare”, ka shtuar Lejdi Gaga.
Pergatiti: Blerina Olldashi
7 Maj 2009