E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari dhe Tirana kontestojnë gjyqtarët

Nisin kontestimet e skuadrave për gjyqtarët e takimeve të javës 18-të. Flamurtari kundërshton gjyqtarin Ervis Peza, i dalë nga shorti për ndeshjen Flamurtari-Shkumbini. Sipas Geri Cipit, shefit të klubit vonjat, gjyqtari Peza, gjatë ndeshjes Vllaznia-Flamurtari (1-1), ka dhënë vendime të dyshimta. "Gjyqtari Ervin Peza për ne është tërësisht i kontestueshëm", - tha Cipi për gazetën sportive "Sport Ekspres". "FSHF duhet ta marrë në konsideratë relacionin tonë".
Në të njëjtën valë ishte dhe shefi i klubit Tirana, Shkëlqim Muca. Ish-trajneri nuk e ka pritur mirë caktimin e Sazan Velcanit në ndeshjen Tirana-Elbasani (të shtunën në orën 17:00 në "Qemal Stafa"). "Në ndeshjen e fazës së parë kur Tirana luajti me Besën në Kavajë (humbi 3-1), ai ka gabuar shumë rëndë ndaj skuadrës sonë, natyrisht nuk kam si ta mirëpres". Sazan Velcani u pezullua disa javë pas gjykimit të ndeshjes Besa-Tirana. "Unë kujtoja se ai (Velcani) e kishte lënë bilbilin për shkak të moshës", - ironizoi Muca.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›