Flamurtari ëndërron Xhihanin dhe Vinçetiçin

Me trajnerin kroat Sllavko Kovacic të konfirmuar, klubi vlonjat është duke projektuar skuadrën e sezonit 2008-2009. Kryebashkiaku Shpëtim Gjika, i cili luan edhe rolin e presidentit, pohoi se kishte mbetur i kënaqur nga ecuria e skuadrës gjatë sezonit të kaluar, por synon një vend më të mirë në kampionatin e 70-të Kombëtar të futbollit.
Lista tashmë është hartuar dhe dy më të lakuarit në "dëshirat" e klubit kuqezi janë vlonjatët Roland Nënaj dhe Artan Sakaj, të cilët luajtën me Elbasanin sezonin e kaluar.
Por, ajo që po cudit opinionin sportiv janë emrat e sulmuesit Parid Xhihani dhe mesfushorit Goran Vincetic. I pari, kavajasi është pjesë e Besës, që do të luajë në Kupën Intertoto, ndërsa i dyti, kroati është pjesë e Dinamos, që do të luajë në eliminatoret e Ligës së Kampioneve.
Një zot e di sesi mund t'u mbushen mendja dy futbollistëve, kur Flamurtari ( i themeluar në vitin 1923) ka fituar vetëm një kampionat (1990-1991), edhe pse ka qenë katër herë nënkampion i Shqipërisë.
Gjithsesi për 2-herë fituesit e Kupës së Shqipërisë (8 finale të humbura) do të ishte një luks pasja e lojtarëve të tillë cilësorë.