E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shfaqet Aksel Ros, por dhe privatizimi i Tiranës

Kur duket se e ardhmja e Sulejman Memës, gjithmonë e më shumë duket larg Tiranës, media sportive ka bërë të ditur edhe disa emra pasuesish. 23-herë kampionët e Shqipërisë e mbyllën sezonin jo vetëm pa trofe e pjesëmarrje në Europë, por dhe në vendin e gjashtë.
KANDIDATURAT- Emrat e përmendur janë Artan Bushati, trajneri aktual i Shqipërisë U-21, një rikthim i mundshëm e Astrit Hafizit ( i suksesshëm për aq sa javë sa drejtoi Tiranën sezonin që sapo u mbyll), por edhe gjermani Aksel Ros, ndihmësi karizmatik i ish-trajnerit të Kombëtares, Hans Peter Brigel. Nëse Ros, i cili para dy sezonesh refuzoi ofertën e Tiranës, do të pranonte stolin e bardhebluve, do të ishte tekniku i katërt i huaj në bankinën kryeqytatase pas hungarezit Miklosh Temeshvarit (fitoi Superkupën në vitin 2001), boshnjakut Enver Haxhiabdic (fitoi Kupën e gazetës "Sport Ekspres) dhe italianit Leandro Menikinit, të cilët fatkeqësisht nuk arritën ta përfundonin një sezon të plotë.
REVOLUCION - Tirana është duke përjetuar një revolucion në strukturën drejtuese të klubit. Pak ditë më parë katër donatorët e 13-herë fituesve të Kupës së Shqipërisë: Shefikat Ngjela, Avni Nuri, Refik Halili dhe Agron Papuli, propozuan një sistem drejtimi me rotacion, ku secili prej tyre do të jetë në krye të klubit më të pasur në Shqipëri, vetë për një sezon. Katër donatorët, të cilët sponsorizojnë Tiranën, që prej korrikut të vitit 2004, në takimin e së hënës së ardhshme do të përcaktojnë edhe emrin e presidentit adinter ( i komanduar), përpara se të mblidhet Asambleja Zgjedhore e radhës në fund të muajit korrik.
PRIVATIZIMI - Ndërkohë që "paketa" e re financiare e "pokerit" të donatorëve për sezonin e ardhshëm do të jetë në shifrat 1 miliardë lekë të vjetra dhe në katër vitet e para kanë shpenzuar gati 4 milionë dollarë, donatorët së fundi janë takuar me ministrin e Sporteve, Ylli Pango, me të cilin diskutuan edhe hapat legjislativë për ta shndërruar klubin e dytë më të vjetër në historinë e futbollit shqiptar në një shoqëri të pastër aksionere, cka do të sillte edhe një frymë europiane në menaxhimin e skuadrave shqiptare. Tirana, që si klub administrohet nga Bashkia e Tiranës, është aktualisht pa një president nderi, qysh kurse Bamir Topi, u dorëhoq për shkak të angazhimit të tij detyrën e lartë të Presidentit të Republikës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›