Euro 1960, fiton BS, Shqiperia “pushim”

Sa më shumë afrohet 7 qershori, dita kur do të nisë edhe Kampionati i 13-të Europian të Futbollit, aq më shumë shtohen presioni mbi ekipet, ankthet te trajnerit, emocionet te tifozët. Euro 2008, finalet e të cilit do të zhvillohen në Austri e Zvicër nga 7 deri më 29 qershor 2008, ka pushtuar mendjen e të gjithëve.
Kjo është hera e dytë që një kampionat zhvillohet nga dy vende organizatore, pas atij mbajtur në Holandë dhe Belgjikë në vitin 2000, por vitit 2012 do të sjellë në skenë sërish dy vende organizatore: Poloninë dhe Ukrainën. "Cifti" Austri-Zvicër mposhti dyshet Greqi-Turqi, Skoci-Irlandë, Kroaci-Bosnjë Hercegovinë, Rusinë, Hungarinë si dhe "pokerin" skandinav: Norvegji, Suedi, Danimarkë, Finlandë. Nga 16 ekipet pjesëmarrëse në finalet e Kampionatit të 13-të Europian të futbollit, vetëm dy ekipe, Austria, si vend organizator dhe Polonia, me të cilën Shqipëria do të përballet në miqësoren e 27-majit, do të marrin pjesë për herë të parë; 14 të tjerat kanë marrë më shumë se dy herë, ku rekordin e mban Gjermania me 10 pjesëmarje në 13 kampionatet, përfshirë edhe këtë të vitit 2008. Fituesi i Kampionatit Europian të këtij viti do të marrë pjesë në Kampionatin e Konfederatave, që do të zhvillohet në vitin 2009 në Afrikën e Jugut. Gazeta "Albania" nis një cikël për të rikthyer në ditët e sotme 12 kampionatet e zhvilluara deri tani, nga i pari i vitit Francë 1960 ku kampion doli Bashkimi Sovjetik e deri te fundit, ai i Portugalisë 2004, ku befasisht u shpall kampione Greqia.
EURO 1960
Emri i kampionit të parë të Europës nuk ekziston më si emërtim gjeografik. Bashkimi Sovjetik tashmë është një ish, por Rusia ka trashëgiminë e fitimit të trofeut të parë. Kampionati i parë Europian, ai i vitit 1960, i cili u zhvillua gjashtë vjet pas themelimit të UEFA-s kishte një formulë tjetër nga ky sotmi. Ishte parë më shumë në formatin e Kupës së Kombeve.
Ashtu si Kupa e Botës, Liga e Kampioneve dhe Lojërat Moderne Olinmpike, edhe Kampionati Europian mban markën e një francezi: Henri Delaunay, sekretari i Federatës Franceze të Futbollit. Idea kishte lindur në vitin 1927, por "drita jeshile" u dha në vitin 1957, e u materializua 3 vjet më pas, në vitin 1960.
17 ekipe morrën pjesë në Euro 1960 ku mungesat më të mëdha ishin ato të Gjermanisë Perëndimore, Italisë e Anglisë. Shqipëria nuk morri pjesë në këtë kampionat, ndërsa i vecantë ishte refuzimi i Spanjës për të udhëtur në Bashkimin Sovjetik. Spanja ndodhej në luftë civile, ndërsa urdhërin për të mos udhëtuar drejt vendit komunist e dha gjenerali Francisko Franko.
Pas tureve eliminatore, vetëm katër ekipe morrën pjesë në finale: Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia, Franca dhe Cekosllovakia. Finalet u mbajtën në Francë (6-10 korrik 1960). Në gjysmëfinale Jugosllavia fitoi 5-4 me Francën, ndërsa Bashkimi Sovjetik fitoi 3-0 me Cekosllavakinë. Cekosllavakia zuri vendin e tretë pas fitores 2-0 me Francën (vetëm 9 mijë shikues në Marsejë). Bashkimi Sovjetik udhëhiqej në fushë nga portieri mitik Lev Jashin. Trofeu u fitua nga ish-Bashkimi Sovjetik, që mundi në finale një tjetër konglomerat të shpërbërë, ish-Jugosllavinë, pas 120 minutave 2-1. Golin e fitores për sovjetikët e realizoi Viktor Ponedelnik në minutën e 113-të. Finalja e luajtur në "Park des Princes" u ndoq nga 18 mijë shikues.
Legjenda Jashin
Lev Jashin u dallua në këtë kampionat për altetizmin e tij në portë, staturën e tij imponuese (189 cm), reflekset e jashtëzakoshne dhe "shpiku" portierin mbrojtës. Jashin, kampion i Europës në vitin 1960, është votuar si portieri më i mirë i shekullit të 20-të. Në përiudhën 1954-1967 zhvilloi 78 ndeshje për Bashkimin Sovjetik.
"Mbreti" Fonten
Sulmues francez Zhust Fonten ishte dhe golashënuesi më i mirë i Kampionatit Europian, përfshirë edhe ndeshjet kualifikuese. Në finalet e zhvilluara në Francë, ekipet zhvilluan vetëm nga dy ndeshje, asnjë lojtar nuk shënoi më shumë se dy gola: Milan Galic (Jugosllavi), Francois Heutte (Francë), Valentin Ivanoc (Bashkimi Sovjetik), Drazen Jerkoic (Jugosllavi), Viktor Ponedelnik (Bashkimi Sovjetik). Ndeshjet me më shumë gola ishin: Francë-Greqi 7-1 (raundi 1/16) dhe Jugosllavi-Francë 5-4 (gjysmëfinale).
Formacioni fitues
Bashkimi Sovjetik: Yashin, Tchekeli, Maslenkin, Kroutikov, Voinov, Netto, Metreveli, V.Ivanov, Ponedelnik, Bubukin, Meskhi
Pjesëmarrje në finale
Gjermania: 10
Rusia : 9
Spanja: 8
Holanda: 8
Italia: 7
Franca: 6
Cekia: 6
Suedia: 4
Portugalia: 5
Rumania: 4
Zvicra: 3
Greqia: 3
Turqia: 3
Kroacia: 3
Austria: 1
Polonia: 1
Kampionatet dhe fituesit
1. Francë 1960: Bashkimi Sovjetik
2. Spanjë 1964: Spanja
3. Itali 1968: Italia
4. Belgjikë 1972: Gjermania
5. Jugosllavi 1976: Cekosllavakia
6. Itali 1980: Gjermania
7. Francë 1984: Franca
8. Gjermani 1988: Holanda
9. Suedi 1992: Danimarka
10.Angli 1996: Gjermania
11.Belgjikë/Holandë 2000: Franca
12.Portugali 2004: Greqia
13.Austri/Zvicër 2008: ?