Serbia prezanton dëshmi për trafikim organesh
Zyrtarët serbë kanë prezantuar dje “dëshmitë”, sipas të cilave ish-luftëtarë të UÇK-së kanë kryer trafik organesh të serbëve të rrëmbyer gjatë luftës së vitit ’99. Autoritetet serbe thanë se ia kanë dorëzuar një emisari të Bashkimit Evropian evidencën, sipas së cilës, luftëtarët shqiptarë guerilë në Kosovë kanë bërë tregti me organet e serbëve të rrëmbyer, sipas agjencisë së lajmeve AP. Delegacioni i Këshillit të Evropës për hetime, në lidhje me akuzat për trafikim organesh gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë, po udhëhiqet nga senatori zviceran, Dik Marti. Sot ai pritet të mbërrijë në Shqipëri pas një vizite dyditore në Beograd. Zëdhënësi i prokurorit për krime lufte në Serbi tha se Beogradi ia ka prezantuar Dik Martit “analizat, rezultatet e hetimeve dhe materiale ekzistuese, të cilat mbështesin akuzat”. Përfaqësues të Kosovës dhe të Shqipërisë i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat për trafikim organesh. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i quan spekulime akuzat e Serbisë ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së. Sipas Kuçit, këto spekulime nuk mund të ndikojnë në raportet ndërshtetërore e as në zhvillimet në rajon. Ndërsa KE ka nisur hetimin, Policia e Kosovës po mban në paraburgim tre serbë të dyshuar, të cilët akuzohen se kanë dhënë shuma të mëdha parash, për të siguruar dëshmi të rrejshme për gjoja transplatim të organeve njerëzore gjatë kohës së luftës në Kosovë. Millutin Radanovic, Predrag Zhelkovic shtetas të Serbisë dhe Igor Jucinac shtetas i Kosovës, njëkohësisht edhe ish-pjesëtar i policisë së Kosovës janë tre të dyshuarit e arrestuar më datën 11 qershor të këtij viti. Policia e Kosovës është në kërkim të personit të katërt të dyshuar, i cili po kështu dyshohet të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.