E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamurtari largon krizën, Vllaznia prek fundin historik

 

leonard karaj

Spektakël dhe bollëk golash në Korçë, gëzim dhe krizë totale në Vlorë. Apolonia fiton ndaj Skënderbeut ndërsa Vllaznia prek fundin historik ndaj Flamurtarit.
Edhe me Roland Luçin në krye të bankinës skuadra shkodrane nuk mundi të marrë një rezultat pozitiv (qoftë edhe barazim) përballë Flamurtarit, edhe ky i fundit “i uritur” për pikë. Një dopietë e të riut të talentuar Odise Roshi largoi paksa krizën që kishte përfshirë vlonjatët duke ia shtuar këtë Vllaznisë, e cila renditet e fundit në tabelën e renditjes pas dekadash në Kategorinë Superiore. Nuk mbahet mend se kur kjo skuadër ka qenë e fundit në klasifikim pas 6 javësh kampionat. Ndërsa thuajse nuk ekzistojnë statistika që hedhin poshtë 6 ndeshje të luajtura, përkundrejt 1 goli të shënuar. Aktualisht Vllaznia është skuadra me sulmin më të dobët në kampionat, statistikë kjo që vret jashtëzakonisht shumë po të mendosh se objektivi i kësaj skuadre ka qenë dhe mbetet titulli kampion.
Ndërsa në takimin tjetër midis Skënderbeut e Apolonisë veç golave tifozeria në stadium shijoi edhe lojën e bukur plot ritëm ngatë dyja skuadrat. Pesë golat u shënuan që të gjithë në pjesën e parë, ku në fund e fraksionit të parë, brenda pesë minutash u realizuan tre gola. Edi Çajku hapi serinë e golave në minutën e 8-të për Skënderbeun, duke çuar në delir mbi 3500 tifozë të pranishëm në stadium, ku në tribunën “Vip” ishte trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe e presidenti i FSHF-së, Armando Duka. Goli i katërt për Edi Çjakun në kampionat, duke barazuar kështu Elis Bakajn e Dinamos. Pas vetëm tri minutash pas një gabimi në mbrojtjen korçare, mesfushori serbi i Apolonisë, Sead Haxhibuliç barazoi shifrat 1-1 në minutën e 11-të. Pas një pauze 30-minutëshe, në të 41’ te goli u rishfaq sërish Apolonia, më anë të Semir Haxhibuliçit, vëllait të Seadit. Sulmuesi kroat i Skënderbeut, Milian Guerrib shënoi pas vetëm një minute, në të 42’, golin  e barazimit 2-2. Goli i tretë për kroatin 23-vjeçar. “Thriller”-i në Korçë vazhdoi me golin e sulmuesit serb të Apolonisë, Mladen Brkiç, i cili realizoi në minutën e 44-t. Apolonia u ngjit në kuotën e 12 pikëve, tashmë në vendin e tretë, me vetëm 2 pikë larg vendit të dytë, Besës, e 4 pikë larg Dinamos kryesuese (16 pikë). Për Skënderbeun, kjo ishte humbja e parë në shtëpi pas një serie prej tri fitoresh. Sidoqoftë, skuadra korçare ka sulmin më të mirë në kampionat, me 11 gola të realizuar.

Renditja

Nr. Ekipi    ND    F    B    H    GSH    GP    +/-    P
1. Dinamo    6    5    1    0    10    3    7    16
2. Besa    6    4    2    0    6    1    5    14
3. Apolonia    5    3    0    2    10    6    4    12
4. Skënderbeu    6    3    0    3    11    9    2    9
5. Teuta    6    3    0    3    7    8    -1    9
6. Tirana    6    2    2    2    4    6    -2    8
7. Shkumbini    6    2    1    3    6    6    0    7
8. Gramozi    6    1    3    2    4    6    -2    6
9. Flamurtari    6    2    0    4    5    10    -5    6
10. Laçi    6    1    2    3    7    9    -2    5
11. Kastrioti    6    1    2    3    4    7    -3    5
12. Vllaznia    6    1    1    4    1    6    -5    4

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›