E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë humbin ballkanasit kur të hyjnë në BE

 

Të qënurit pjesë e Bashkimit Evropian, tanimë është bërë refreni i politikave të së gjitha vendeve të Ballkanit. Sytë janë kthyer nga Brukseli. Kush do të futet brenda “familjes”? Kujt vendi do t’i shqyrtohet kërkesa për pranim, ku do të hiqen vizat, ku do të udhëtohet lirisht? Duket se e ardhmja e këtij gadishulli historikisht të trazuar varet pikërisht nga buzët e komisionerëve evropianë. Madje, për të qenë pjesë e familjes evropiane, duket se ballkanasit janë gati të heqin dorë nga shumë aspekte të përditshmërisë së tyre. Ky koncept ka qenë shtysa për 14 artistë nga 7 vende të Ballkanit, të cilët nën projektin e British Council, “The Culture Lobby, ndërmarrin një eksplorim artistik të vendeve të rajonit për të regjistruar në audio dhe foto, opinione të qytetarëve të thjeshtë mbi pyetjen “Çfarë mendoni se do të ndryshojë, ose edhe zhduket në jetën tuaj të përditshme, kur vendi juaj të anëtarësohet në Bashkimin Evropian?”. Ndoshta kjo është një pyetje që ballkanasit nuk ua kanë bërë vetes. Ndoshta kanë menduar për anët pozitive që do t’u sjellë pranimi në Bashkimin Evropian, por ndoshta asnjë syresh nuk ka menduar se çfarë do të humbasë prej individualitetit dhe identitetit të secilit. Dhe artistët tentojnë të shkojnë përtej politikës dhe të hyjnë në shqetësimet e njerëzve të thjeshtë dhe mënyrën se si ata po e përjetojnë këtë valë ndryshimesh që po përjeton gjeopolitika evropiane. Artistët Amer dhe Imrana Kapitanovic nga Bosnja po udhëtojnë prej dy javësh nëpër Shqipëri, për të evidentuar aspekte të identitetit kulturor që evropianizimi rrezikon t’i fshijë, ndërkohë që artistët shqiptarë Armand Habazaj dhe Leonard Qylafi po ndjekin të njëjtën metodologji, por në vendin fqinj, Maqedoninë, e cila nuk është duke kaluar një periudhë të qetë momentalisht. Projekti “The Culture Lobby” është një iniciativë artistike rajonale, që kërkon të ndërtojë një “arkivë aktive” të memorjes kulturore në Ballkanin Perëndimor përgjatë këtij momenti tranzicioni. Rezultatet e regjistruara do të mblidhen për të prodhuar dhe publikuar një arkiv on-line, një libër dhe një galeri unike të lëvizshme, që do të ekspozohet në hapësirat publike të shtatë kryeqyteteve të vendeve pjesëmarrëse në projekt. Kjo galeri do të jete e vlefshme gjithashtu si një hartë e shkarkueshme GPS që do të inkurajojë njerëzit të navigojnë fizikisht nëpër rajon nëpërmjet artit.
“The Culture Lobby” është pjesë e programit të Këshillit Britanik “Bashkëpunimi Krijues”, i cili kontribuon në pasurimin e jetës kulturore në rajon dhe në Mbretërinë e Bashkuar në sajë të iniciativave, që mundësojnë dialog dhe debat midis artistëve.
Ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor po rivizatojnë përsëri hartat politike dhe ekonomike, banorët e rajonit janë të ndërgjegjshëm për ndryshimet kulturor që sjell ky proces tranzicioni dhe ndiejnë një nevojë të vazhdueshme për t’u përballur dhe negociuar me idetë e gabuara dhe keqinterpretimet  politike mbi identitetin, nëpërmjet artit.
Projekti “The Culture Lobby”, ofron mundësinë e regjistrimit të çdo opinioni në faqen web të projektit www.theculturelobby.com, ku një ueb-anketë e pazakonshme dhe jo formale, do të shërbejë si një platformë për shprehjen e dyshimeve, preokupimeve e perceptimeve të çdo qytetari, në lidhje me procesin e bashkimit me Evropën, si dhe ndryshimet që do të sjellë në jetën e tyre të përditshme. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›