Zbulohet bazilika e Elbasanit
Del tërësisht në dritë bazilika paleokristine në qendër të qytetit të Elbasanit. Një projekt i Bashkimit Evropian që ka akorduar një fond prej 1.2 milion euro për rikonstruksionin e “Via Egnatia”, përfshin edhe këtë bazilikë, gjurmët e së cilës u zbuluan dy vjet më parë. Në bazilikën që ndodhet shumë pranë “Rrapit të Bezistanit” janë duke punuar arkeologë të qytetit në bashkëpunim me specialistët e Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Si vlerën më të rëndësishme të kësaj bazilike, specialistët veçojnë mozaikun brenda saj, që vetëm këtë vit është vizituar nga të paktën 5500 turistë. Gërmimet në bazilikën paleokristiane nisën në muajin gusht të vitit 2007. Gërmimet nisën pas një sondazhi arkeologjik, duke u bazuar në një dokument të ruajtur në arkivin e Muzeut Etnografik të qytetit të Elbasanit. Një ish-tregtar, Sul Shehu, kishte lënë një dokument ku thuhej se “poshtë themeleve të dyqanit të tij ndodhej një bazilikë”. Duke iu referuar këtij dokumenti, dy vjet më parë arkeologët nisën gërmimet, të cilat nxorën në dritë mjaft objekte si shtylla mermeri, të gjata rreth 5 metra, me punime dekorative, të ekspozuara tashmë në hollin e Muzeut Etnografik në Elbasan. Gjithashtu, arkeologët që morën pjesë vetë në zbulimin e mozaikut kanë gjetur dhe një kapitel, pjesë zbukurimi që vendoset sipër kolonave, një afresk që ndodhet në mur, si dhe dy varre që i përkasin shek. V. Mbi dyshemenë e bazilikës janë gjetur fragmente të një amfore nga Gaza e Palestinës, që tregon se ky monument është shkatërruar përfundimisht në fundin e shekullit të VI-të ose fillimi i shekullit të VII-të të erës sonë.