I dënuar 8 vjet për plagosje,fiton fakultetin nga burgu
BURREL – Fiton universitetin nga burgu i Burrelit. Lorenc Sula, njëri nga 200 të dënuarit ka dhënë konkursin duke u bërë pjesë e studentëve të Shkencave Sociale në Tiranë. Nëntë vjet më parë ai dhe disa adoleshentë të tjerë u përfshinë në një konflikt në mes të qytetit, ku për rrjedhojë mbeti i plagosur një bashkëmoshatar i tyre. Shumë shpejt ndërhynë familjarët dhe u pajtuan, mirëpo hapja e një procedimi penal ndaj Sulës solli ndëshkimin e tij me 8 vjet heqje lirie. Djali 26-vjeçar ka përfunduar gjysmën e dënimit, ndërkohë i mbetet edhe gjysma tjetër e ndëshkimit. Gjatë bashkëbisedimit me autoritetet e këtij institucioni mëson se Lorenci është një nga të rinjtë e penduar për veprën penale që ka kryer dhe sillet mjaft mirë me punonjësit e administratës dhe bashkëvujatësit. “Është një djalë model dhe korrekt me të gjithë. Zbaton me fanatizëm rregulloren e brendshme të burgut dhe komunikon mjaft mirë me gardianët dhe të dënuarit e tjerë”, thanë burime nga burgu i Burrelit. Ndëshkimi ligjor i ndërpreu Sulës studimet në gjimnazin e Burrelit në vitin e katërt. Një vit më parë ai i kërkoi drejtorisë së institucionit të vuajtjes së dënimit leje për të përfunduar shkollën e mesme. “U regjistrua në shkollën private “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” Burrel dhe përfundoi me nota të mira shkollën e mesme”, sqarojnë punonjës të administratës së burgut. “Sa herë ai kishte provime për të dhënë me korrespondencë është lejuar nga drejtoria e institucionit. Ka dhënë provimin dhe është kthyer brenda orarit të lejes në burg. Kishte një vullnet të madh për të lexuar dhe për të nisur studimet e larta. Dhoma e tij është e mbushur me libra shkollorë dhe jashtëshkollorë. Lexon shumë dhe ka memorie të fortë”, pohuan të njëjtat burime. Në verën e këtij viti, kur qindra maturantë nga gjashtë shkolla të mesme të Matit jepnin provimet me zgjedhje, mes tyre është ndodhur edhe Lorenc Sula. Ka konkurruar në disa degë, siç kanë vepruar konkurrentët e tjerë dhe së fundi ka mësuar se ai është fitues për Shkenca Sociale. Ky lajm ka gëzuar prindërit e Lorencit, dy intelektualë të spikatur në qytetin e Burrelit, por ndërkohë ka krijuar bindje tek drejtuesit e burgut se i riu duhet mbështetur për të vijuar studimet e larta part-time. “Do t’i jepet leje sa herë të ketë provime”, thanë zyrtarë të lartë të Burgut të Burrelit. “Është i vetmi i dënuar që ka qëndruar korrekt për lejet e dhëna dhe konkurroi e fitoi me meritë shkollën e lartë”, thanë punonjës të administratës. h.p
Kërkesa drejtuar Presidentit
Prindërit e Lorencit do t’i drejtohen me një kërkesë Kreut të Shtetit për ta amnistuar djalin e tyre. Qemali, babai i Lorenc Sulës tha për gazetën “Panorama” se djalit i janë krijuar të gjitha lehtësirat për të mbaruar shkollën e mesme dhe për të konkurruar për shkollën e lartë. “Gjendja në burgje tani ka ndryshuar shumë. Djalin e lejuan të jepte provimet e vitit të katërt dhe tani fitoi edhe të drejtën e studimeve të larta. Unë gjej rastin të falenderoj drejtorin e burgut, Shkëlqim Gjoçuka dhe gjithë stafin drejtues për lehtësirat që i krijuan djalit. Ishte në moshë të re kur shkeli ligjin, ndërkohë duket qartë pendesa e tij. Lorenci do të jetë shpejt një djalë i dobishëm për vete, familjen dhe shoqërinë. Kam menduar t’i drejtohem me një kërkesë Presidentit Bamir Topi për ta amnistuar djalin, në mënyrë që shkollën e lartë të vijojë normalisht. Kam shumë shpresë se djali do të jetë i lirë në një kohë të shpejtë”, tha babai i Lorenc Sulës.