E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet i kërkuari 17 vjet për vrasje

 

Etleva Delia

Policia e Rinasit arrestoi dje vetëm disa minuta pasi kishte zbritur nga avioni që vinte nga Belgjika, të shumëkërkuarin për vrasje Ernest Meriami. Kur kishin kaluar 17 vjet nga koha kur kishte kryer një vrasje në fshatin Gurëz të Kurbinit dhe ishte arratisur fillimisht në Greqi, Itali e më pas në Belgjikë, Meriami shpresonte se ishte harruar nga policia. Madje për t'iu shmangur prangave ai prej vitesh ishte fshehur nën një identitet të rremë, që i ndryshonte vetëm mbiemrin, duke falsifikuar edhe dokumentet me emrin Ernest Kola. Duke shpresuar se me këtë emër nuk do të zbulohej nga policia shqiptare, vendosi që të kthehej në atdhe, për të shkuar tek familja e tij në Kurbin, të cilën e kishte braktisur që në moshën 25-vjeçare. Por emri i rremë e ka nxjerrë zbuluar, pasi personi që i kishte "vjedhur" emrin ishte gjithashtu person në kërkim. Oficerët e policisë kanë verifikuar emrin e tij, nga ku ka rezultuar se 42-vjeçari Ernest Meriami, ishte person i shpallur në kërkim, i dënuar me 15 vjet burg për vrasje. Ngjarja për të cilën akuzohet Meriami, ka ndodhur në vitin 1992 në fshatin Gurëz të Kurbinit. Ai u shpall fajtor në mungesë për vrasjen e fqinjit të tij, Ndoc Meta, të cilin e kishte goditur me thikë për vdekje, pas një konflikti pronësie.
ARRATIA PAS VRASJES
Që nga momenti, kur në vitin 1992 Ernest Meriami, atëherë vetëm 25 vjeç, qëlloi me thikë për vdekje fqinjin e tij, Ndoc Meta, pas një konflikti pronësie, u largua menjëherë nga fshati Gurëz dhe nuk u pa më nga asnjë i njohur i tij. Meriami udhëtoi në këmbë nëpër male, duke mbërritur në fshatrat e Korçës, ku arriti të strehohej nga disa miq të tij dhe për disa muaj i shpëtoi gjurmimit të policisë. Por pas disa kohësh u pikas edhe atje dhe policia organizoi operacionin e parë për arrestimin e tij, të cilit Meriami i shpëtoi mjaft mirë dhe arriti të strehohej në një fshat tjetër të Korçës. Por edhe aty u lokalizua nga policia, e cila dështoi sërish në kapjen e tij edhe me operacionin e dytë. Duke parë që policia i ishte vënë pas, vendosi që të arratisej matanë kufirit dhe arriti të shkonte në Greqi. Në shtetin grek, me anë të njohjeve mundi që të falsifikonte dokumentet e identifikimit, duke ndryshuar mbiemrin e tij. Që prej atij momenti filloi të prezantohej si Ernest Kola, nga Mirdita. Pasi qëndroi disa vite në Greqi, u arratis më pas në Itali dhe në Belgjikë, ku jetoi disa vite. Dje ai vendosi të kthehej në Shqipëri për të vizituar familjarët që nuk i kishte parë prej 17 vitesh. Ernest Meriami, nga fshati Gurëz i rrethit të Kurbinit, është kthyer dje nga Belgjika ku ishte paraqitur me identitet të rremë Ernest Kola nga Mirdita. Pas shoqërimit në Rinas, me dyshimet për falsifikim dokumentesh, është dërguar në komisariatin e Policisë së Kurbinit. Atje, gjithçka është zbardhur duke zbuluar 42-vjeçarin.

I kërkuari me emrin e një tjetër të kërkuari
I kërkuari Ernest Meriami ka zgjedhur emrin e gabuar për t'u maskuar me një identitet të rremë. Emri që ai kishte "vjedhur" dhe që mbante në pasaportën e falsifikuar, Ernest Kola, për policinë ishte jo pak i njohur, pasi edhe ky person ishte i shpallur në kërkim, po ashtu për vrasje. Ernest Meriami, nga Kurbini kishte vrarë 17 vite më parë për motive pronësie, ndërsa Ernest Kola, nga Mirdita, kishte vrarë 12 vite më parë në Kurbin për motive gjakmarrje. Në një moment policia e Rinasit ka menduar se personi që është paraqitur me dokumentin e falsifikuar, ishte i kërkuari për vrasjen e kryer në Kurbin për gjakmarrje dhe ka lajmëruar policinë e Laçit. Më pas në Laç është zbuluar gjithçka, aty ka rezultuar se i arrestuari nuk ishte Ernest Kola, por mbiemri i tij ishte Meriami dhe po ashtu edhe ky ishte i kërkuar për një vrasje të kryer në Kurbin. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›