E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuarteti “Archimede” hap sezonin klasik

 

Sezoni koncertor “Klasik” rinis edicionin e tij të dhjetë. Do të jetë kuarteti i harqeve “Archimede”, i cili do të hapë nesër stinën konceptore, në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë. Kuarteti i përbërë nga Enzo Ligresti e Corrado Genovese në violinë, Gaetano Adorno në violë dhe violonçelisti Benedetto Munzione, do të interpretojë për publikun një repertor të zgjedhur të muzikës së dhomës. Me instrumentet e tyre, kuarteti do të sjellë nota dhe tinguj të kompozitorëve të njohur në tre shekuj, duke filluar me Haydn deri tek Shostakoviç. Sezoni i koncerteve “Klasik” është një vazhdimësi e sezonit “Allegreto Albania”. Ky sezon vjen në Shqipëri i menaxhuar nga Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe disa ambasadave të shteteve të ndryshme në vendin tonë. Gjatë aktiviteteve kulturore të këtij lloji, në sezonet e mëparshme, “Klasik” ka sjellë në skenën shqiptare emra artistësh të talentuar, të cilët janë pëlqyer dhe duartrokitur nga publiku. Ndërkohë, një ndër synimet kryesore të organizatorëve të sezonit “Klasik” është dhe zgjerimi i hartës së artistëve pjesëmarrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›