Flamurtari mund Vllazninë, Teuta e nis mbarë
Superliga e Shqipërisë ka hapur siparin e saj të Shtunën me tre ndeshje të zhvilluara në Shkodër, Krujë dhe në Kavajë. Vëmendja e të gjithëve ishte përqëndruar tek i rikthyeri tashmë në Superligë, Partizani.
Skuadra ” e kuqe” ka bërë rikthimin më të mirë të mundshëm, në elitën e futbollit shqiptar, duke fituar në Krujë përballë skuadrës vendase të Kastriotit me rezultat të pastër prej 0:2. Golat për skuadrën kryeqytetase i shënuan, Hyshmeri ’25 dhe Demiri ’52.
Në anën tjetër, skuadra e Flamurtarit ka arkëtuar tre pikët e para në transfertën e Shkodrës, duke mposhtur Vllazninë me rezultat minimal 0:1. Vendasit e kanë nisur shumë mirë takimin duke tentuar të zhbllokojnë rezultatin por nuk kanë mundur të gjejnë rrugën e rrjetës. Nga ana tjetër, miqtë janë më të saktë duke rrezikuar portën e shkodranëve me anë të Gjinit. Në minutën e 27-të ka qenë Kuqi ai që ka zhbllokuar rezultatin duke i dhuruar një fitore tepër të vlefshme skuadrës së Gjokës që pas problemeve të shumta financiare më në fund gjenë një dritë në fund të tunelit.
E vetmja skuadër që ka arritur fitore në shtëpi është Teuta që ka mposhtur Bylisin me rezultat 2:1. Vendasit e nisin më mirë ndeshjen duke e dominuar lojën dhe duke qenë disa herë të rrezaikshëm në portën e Rizvanit, ndërsa djemtë e detit vuajnë në mesfushën e tyre. Për të zgjuar miqtë mendon Bekim Kuli, që në fundin e pjesës së parë realizon një eurogol që ja vlen ta shohësh disa herë. Të dyja skuadrat shkojnë me këtë rezultat në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, Teuta ishte më e rrezikshme në portën e Bylisit dhe aksionet e tyre dhanë rezultat, së pari shënoi Ahmataj në minutën e 70-të, ndërsa qershia mbi tortë si gjithmonë është golashënuesi Daniel Xhafa që shënon golin e tretë në minutën e 84-të.