E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari nuk bie

Rezultatet e dobëta në stinorin pranveror kanë bërë që Flamurtari të fundoset në tabelë. I vetëdijshëm se nuk do ta ketë të lehtë, trajneri Abdyl Bellopoja beson se kuqezinjtë do ta sigurojnë mbijetesën në Superligë. Nga Moral Pozhegu më 26 prill 2011 në ora 12:56

Skuadra e Flamurtarit po vazhdon të kalojë nëpër një krizë të thellë të rezultateve. Kuqezinjtë nga tetë ndeshje të zhvilluara në stinorin pranveror, kanë pësuar shtatë humbje, derisa kanë shënuar vetëm një fitore.

Si pasojë e kësaj, ekipi kryeqytetas gjendet në pozitën e parafundit në renditjen tabelore, me vetëm 23 pikë të tubuara, duke rrezikuar seriozisht me largim nga elita e futbollit kosovar.

Me gjithë pozitën e vështirë në të cilën gjendet, trajneri i Flamurtarit, Abdyl Bellopoja beson se skuadra e tij do ta sigurojë mbijetesën në Superligë.

Edhe pse pësuan humbje nga rivali i qytetit Prishtina (1:0), Bellopoja thotë se loja e treguar në këtë përballje është një garanci se kuqezinjtë në vazhdim të kampionatit do t’u rikthehen rezultateve pozitive.

“Edhe pse është e vështirë, unë besoj se Flamurtari do të mbesë në Superligë. Në momentin që e kam pranuar postin, e kam ditur se do të jetë e vështirë dhe deri në minutën e fundit të xhiros së fundit gjithçka do të jetë e hapur. Detyrën e kam pranuar me përgjegjësi dhe të punoj me përgjegjësi”, thotë ai.

Bellopoja, i cili zëvendësoi trajnerin e larguar Jusuf Tortoshi, është shumë i kënaqur me punën që po bëjnë futbollistët e tij. “Puna në stërvitje, angazhimi në lojë është për çdo lëvdatë. Kur të jenë këto, nuk do të mungojë as suksesi”, theksoi ai.

Kur kanë mbetur edhe tetë xhiro deri në përfundim të kampionatit, Flamurtari konkurrent në garë për mbijetesë pritet ta ketë Vëllaznimin, që ka tri pikë më shumë, dhe Ballkanin, që ka plus gjashtë pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›