Milani ofron 7 milionë për Shaqirin

Klubi italian Milan duket se ia ka mësyrë me seriozitet të madh futbollistit kosovar, Xherdan Shaqiri. Ueb faqja zvicerane 4-4-2.com shkruan se Rossonerët po e kërkojnë me ngulm përfaqësuesin zviceran, i cili konsiderohet si njëri prej talentëve më të mëdhenj sot.
“Milani i është kthyer interesimit për Shaqirin pas kërkesës së trajnerit Massimiliano Allegri”, shkruan kjo ueb faqe. Sipas 4-4-2.com, gjiganti italian është i gatshëm t’i shpenzojë 7 milionë euro vetëm për ta mposhtur konkurrentin Juventus, dhe për ta sjellë në San Siro 19 vjeçarin.
Përpos këtyre dy skuadrave, për futbollistin nga Gjilani janë të interesuara edhe disa skuadra të njohura evropiane si Borussia Dortmund, Bayern Munich, Hamburg, Juventus, Udinese, Valencia, Atletico Madrid e Aston Villa. Futbollisti ofanziv ka kontratë me Baselin deri në vitin 2014, por ka gjasa që ai të largohet nga Zvicra gjatë verës.