Thërret Shkupi
Drejtuesit e futbollit shqiptare nuk do ta kenë të vështirë t’i gjejnë ‘strehim’ ekipit kombëtar, pas rrënimit të stadiumit Kombëtar ‘Qemal Stafa’, në vend të të cilit pritet të ndërtohet një arenë moderne.
Pas Prishtinës edhe Shkupi ka hapur dyert për Kombëtaren shqiptare. Lëvizja qytetare ‘Zgjohu’ ka kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) që ndeshjet eliminatore për Euro 2012 t’i zhvillojë në stadiumin e Shkupit, nëse Prishtina nuk arrin ta bëjë gati stadiumin.
“Lëvizja Qytetare Zgjohu fton Federatën dhe Kombëtaren shqiptare që të zhvillojë ndeshjet kualifikuese për Euro 2012 në stadiumin e Shkupit, në rast se dështojnë përpjekjet për t’i zhvilluar ndeshjet në Prishtinë”, thuhet në kërkesën e lëvizjes Zgjohu.
Kjo lëvizje është shprehur e gatshme të ndihmojë në përgatitjet e nevojshme për realizimin e kësaj iniciative dhe garanton stadium të mbushur përplot me tifozë shqiptarë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova.
“Ndeshja e Kombëtares shqiptare me Rumaninë, që duhet të zhvillohet më 11 tetor, është shans i mire që kombëtarja të zhvillojë ndeshje gjithandej ku ka shqiptarë, e në veçanti në tre kryeqendrat shqiptare; Tiranë, Prishtinë dhe Shkup”, thuhet në kërkesë.
Ndër të tjera në kërkesën e Zgjohu’t drejtuar FSHF’së thuhet se stadiumi në Shkup plotëson të gjitha kriteret që i kërkon FIFA e UEFA si dhe mundëson 35 mijë zëra shqiptarë në përkrahje të fuqishme për djemtë e Kombëtares shqiptare.
“Ftojmë presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, të merr në konsideratë këtë gatishmëri dhe mundësi që ta sjellë Kombëtaren shqiptare më afër shqiptarëve gjerë në përfundimin e Arenës së Shqiponjave në Tiranë”, thuhet në fund të kësaj kërkese.
Ndërsa javën e kaluar, FSHF’ja ka kërkuar nga drejtuesit e FC Prishtinës një raport për gjendjen e stadiumit të tyre. Udhëheqësit e futbollit shqiptar këtë kërkesë e kanë bërë pasi që janë të interesuar të zhvillojnë ndeshjet kualifikuese për Euro 2012 dhe ato miqësore në Prishtinë pas rrëzimit të stadiumit “Qemal Stafa”.
Por, për të sjellë në Prishtinë kombëtaren shqiptare dhe kundërshtarët e saj të radhës (Francën 2 shtator dhe Rumaninë 11 tetor) duhen investime në përmirësimin e infrastrukturës, gjegjësisht përmbushjes së standardeve për ndeshje ndërkombëtare që i kërkon UEFA dhe FIFA.
Ndërsa presidenti i FSHF’së, Armand Duka, në një intervistë për Express ditë më parë ka thënë se nëse stadiumi i Prishtinës nuk i plotëson kushtet e kërkuara nga FIFA e UEFA, atëherë alternativë e kuqezinjve do të mbetet stadiumi ‘Loro Boriçi’ në Shkodër
Citat: “Stadiumi në Shkup i plotëson të gjitha kriteret që i kërkon FIFA e UEFA si dhe mundëson 35 mijë zëra shqiptarë në përkrahje të fuqishme për djemtë e Kombëtares shqiptare”. Zgjohu