Flamurtari per fitore me Kamzen
Pas provave në Kupën e Shqipërisë, të shtunën Flamurtari do të luajë edhe ndeshjen e parë të gjysmës së mbetur të Superligës. Trajneri Shkëlqim Muça premton se kuqezinjtë do të zbresin për fitore, në ndeshjen e javës së 14-të të kampionatit në fushën e Kamzës. Vlonjatët kanë regjistruar 3 humbje, dy barazime dhe vetëm një fitore në trasfertë, megjithatë drejtuesi i stolit beson se skuadra nuk vuan nga sindroma e ndeshjeve jashtë fushe. Muça kërkon nga skuadra e tij që ti marrë ndeshjet me radhë, pa u ndikuar nga rezultatet e skuadrave të tjera. Ndërkohë, ai thekson se një humbje nuk do të thoshte se Flamurtari mbetet jashtë garës, pasi ka ende edhe shumë ndeshje për të luajtur. Vlonjatët renditen në vendin e pestë me 22 pikë në 13 ndeshje, 10 më pak se Teuta kryesuese. Ata fituan 2-1 ndeshjen e parë me këtë rival në kampionat, më 11 shtator, ndërsa janë mposhtur në Kamzë më 19 tetor, në një sfidë të vlefshme për fazën e grupeve të Kupës së Shqipërisë.