E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana rihap kampionatin

Tirana fiton 2-1 në fushën e Teutës dhe rihap luftën për titull në Superligë. Bardheblutë dalin fitues nga sfida në Durrës, falë rrjetës së Balës dhe autogolit të Stafës, pavarësisht se nuk dominuan në lojë dhe ngushtojnë diferencën me “djemtë e detit”. 24 herë kampionët ngjiten në kuotën e 30 pikëve, vetëm 2 më pak se skuadra e Hasan Likës që mbetet në krye. Ndeshja në “Niko Dovana” është zhvilluar në një atmosferë mjaft të ndezur, me afro 4 mijë tifozë të pranishëm, ndërsa nuk munguan episodet, ku i pari ishte starti me vonesë i lojës, për shkak të një parulle të tifozëve durrsakë: “Kur stërgjyshërit tuaj ishin majmunë, ne Teutën mbretëreshë e vumë!”. Pas heqjes së parullës, e gjithë vëmendja u spostua në fushë, me Tiranën që e nisi vrullshëm takimin, duke provuar prej minutës së tretë me Morinën. Ky ishte vetëm një sinjal i golit që erdhi në të 11-ën me Bekim Balën. Sulmuesi lëshoi një të majtë të shkëlqyer fluturimthi, pas gabimit të mbrojtësit te Teutës, Osmani dhe mposht Rizvanin. Në të 38-ën Tirana shënoi sërish, por rrjeta u anulua pas sinjalizimit të anësorit, për një vendim të diskutueshëm mes një pozicioni jashtë loje të dyshimtë dhe një ndërhyrjeje në kufijtë e rregullores së Dushkut ndaj “gardianin” durrsak. Teuta barazoi me Çotën në sekondat shtesë të pjesës së parë të takimit. Sulmuesi kaloi Dushkun, Dabullën dhe Ahmatajn dhe e dërgon topin në rrjetë. Por, në të 56-ën, Tirana rikthehet në avantazh falë autogolit të Stafës, që nxjerr jashtë loje Rizvanin. Ndeshja vazhdon e luftuar deri në fund dhe Teuta provon të barazojë, por nuk arrin të evitojë humbjen e parë në 10 ndeshjet e fundit, pavarësisht se Tirana e mbylli ndeshjen në inferioritet numerik, pas kartonit të kuq të kapitenit Sina për protesta. Në takimin tjetër të luajtur të premten, Laçi mposhti me rezultatin 1-0 Vllazninë. Vendimtar ishte goli i Vilfor Hysës në minutën e 6-të të takimit dhe kurbinasit ngjiten në kuotën e 14 pikëve, aq sa edhe Kamza e vendit të 9-të. Për Vllazninë, kjo ishte humbja e katërt në pesë ndeshjet e fundit në Syuperligë dhe tashmë pozitat e trajnerit Rudi Vata kanë nisur të lëkunden.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›