E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klodian Duro braktis Tiranen

Festa për fitoren me Teutën dhe rihapjen e luftës për titull te Tirana ka qenë përgjysmë. Kjo për faktin se vetëm pak minuta përpara ndeshjes në Durrës, te bardheblutë plasi çështja Klodian Duro. Ish-mesfushori i Kombëtares nuk e ka pritur mirë vendimin e trajnerit Hulian Rubio për ta lënë jashtë formacionit titullar dhe ka vendosur të braktisë skuadrën. Ai u largua nga stadiumi “Niko Dovana”, duke zgjedhur të mos qëndrojë në stol, e as në tribunë. Veprimi u konfirmua nga drejtori teknik i 24-herë kampionëve, Alban Tafaj. Zgjedhja e trajnerit spanjoll për të lënë Duron jashtë formacionit të parë ishte e pritshme, pasi 34-vjeçari kishte humbur disa ditë stërvitje për shkak të një viroze të stinës dhe në raste të tilla, Hulian Rubio gjithmonë ka vepruar duke i lënë lojtarët në stol, pavarësisht emrit apo rëndësisë në ekip. Ndërkohë, tashmë pritet si do të veprojë klubi i Tiranës me këtë çështje: nëse do të zgjedhë të marrë masa sportive dhe ta gjobitë lojtarin, apo të prishin kontratën. Klodian Duro u afrua te Tirana në shtator të vitit 2011, me parametër zero pasi u largua nga austriakët e Lask Linz dhe firmosi kontratë 2-vjeçare me klubin, ndërsa ka deklaruar gjithmonë se te bardheblutë do të rifitonte vendin në Kombëtare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›