Pepe luan në stilin e Realit

Ish mbrojtësi i Real Madridit, Roberto Carlos mendon se Pepe do të mësojë të kontrollojë sjelljet e tij por thekson se portugezi luan në stilin e vërtetë të skuadrës madrilen.
Pepe është gjendur në qendër të kritikave pas ndërhyrjeve të tija të ashpra, kryesisht në duelet kundër Barcelonës ku së fundmi shkeli në dorë Lionel Messin. Por, Carlos mendon se Pepe vetëm sa dëshmon shpirtin luftarak të futbollistëve të Realit.
“Nëse Raul gjithmonë shënonte kundër Barcelonës dhe për këtë ishte idhull i tifozëve, Pepe dëshiron të jetë i tillë me stilin e lojës, me agresivitetin e tij” deklaroi Carlos për LaSexta Deportes. “Ai është ende i ri dhe do të mësohet të qetësohet. Por, e ka stilin e Realit, stilin e një luftëtari të vërtetë” deklaroi mbrojtësi i Anzhit, i cili ka paralajmëruar se do të pensionohet nga futbolli në fund të këtij sezoni.