E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi në familje, 17-vjeçarja vret babain me thikë në qafë

 

MIRDITE/ ROLAND NIKOLLI

Thikë në qafë babait teksa i dhunonte nënën. Një 17–vjeçare në fshatin Kaçinar të Mirditës është arrestuar dje, pasi akuzohet se ka vrarë me armë të ftohtë babain e saj, Gjergj Gjoka. Mësohet se 45-vjeçarit i ishte dëmtuar rëndë qafa, pasi thika i ka prerë arterien kryesore çka i kishte shkaktuar atij edhe vdekjen. Burime nga policia e Mirditës bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 20:00. Sipas dëshmisë së 17-vjeçare A.Gjoka, ngjarja kishte ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi ajo nuk kishte pasur për qëllim vrasjen e babait të saj. “Babai erdhi i dehur në shtëpi. Filloi të rrihte nënën dhe më pas na kërcënoi me armë kallash të gjithëve. Në shtëpi përveç nënës ndodhesha unë, motra dhe vëllai që janë më të vegjël. Unë rrëmbeva thikën e bukës për ta trembur atë, por gjatë përleshjes ai u rrëzua mbi mua dhe thika i preu qafën”. Kështu mësohet të ketë deponuar adoleshentja krimin brenda familjes. Policia bëri të ditur se shkoi në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit të dhënë dhe arrestoi 17–vjeçaren me akuzën e “vrasjes në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Vajza ndodhet në dhomat e paraburgimit të Mirditës, ndërsa ka këmbëngulur se gjithçka kishte qenë aksidentale, pasi ajo nuk kishte dashur ta vriste të atin. Mësohet se ajo ndodhet në kushte të rënda psikologjike, ndërsa është marrë në pyetje në praninë e një eksperti psikolog. Në të njëjtën linjë deponimi me vajzën e arrestuar ka qenë edhe nëna e saj. Ajo ka dëshmuar për grupin e hetimit se babai i fëmijëve të saj vinte gjithnjë i dehur në shtëpi dhe keqtrajtonte fizikisht jo vetëm atë, por edhe fëmijët. Sipas saj, viktima kishte ardhur i dehur edhe mbrëmjen e ngjarjes. E gjithë skena e këtij krimi brenda familjes ka ndodhur edhe në sy të fëmijëve të vegjël të saj. Ata kanë dhënë alarmin me ulërima në oborr të shtëpisë, nga ku më pas për pak minuta kanë behur në banesën e tyre fqinjët e tyre. Këta të fundit kanë sinjalizuar policinë. Fillimisht u dyshua për një vetëvrasje të mundshme të viktimës, por pas hetimeve të kryera rezultoi se 45-vjeçari ishte vrarë nga e bija.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›