Shpërthimi në gurore, pranga pronarit e punëtorit
LEZHE - Arrestohet pronari dhe një punëtor i gurores, nga shpërthimi i së cilës gjeti vdekjen roja i fabrikës së re të çimentos në fshatin Gocaj të Lezhës, ndërsa një tjetër u plagos rëndë. Policia e Lezhës bëri të ditur se pas ngjarjes së rëndë janë prangosur Ferdinand Ujka nga Lezha, pronar i firmës “Vulkano Construction” sh.p.k si dhe Tonin Çupi, punëtor nga fshati Tale i Lezhës. Sipas burimeve arrestimi i tyre është kryer për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”. Rreth orës 19:30 të së hënës, në fshatin Gocaj, tek gurorja e kësaj firme, në një distancë të afërt, përballë fabrikës së re të çimentos, ndodhi ngjarja ku shënoi viktima. Grupi i hetimit konstatoi se ngjarja ndodhi teksa realizohej një shpërthim me lëndë plasëse, dinamit, të një tuneli në gurore i cili shërbente për nxjerrjen e materialeve inerte. Shpërthimi ka ndodhur sipas policisë në kundërshtim me ligjin, “Për përdorimin civil të lëndës plasëse” dhe vendimin “Për miratimin e rregullores së Teknikës së sigurimit”. Sipas burimeve, nga shpërthimi i lëndës plasëse, gurë të mëdhenj kanë fluturuar mbi territorin e fabrikës së re të çimentos, duke shkaktuar plagosjen e dy rojeve të fabrikës, Zef Simoni si dhe të Pal Gjinit. Dy të plagosurit janë dërguar në spitalin e Lezhës, ku më pas ka gjetur vdekjen Zef Simoni, ndërsa kolegu i tij Pal Gjini ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak të Tiranës, bëri të ditur policia e Lezhës. Sipas policisë, pronari Ujka ia ka deleguar përgjegjësinë punonjësve, të cilët pas hetimeve të kryera rezultoi se kanë vënë një sasi më të madhe dinamiti nga sa duhej. r.n