Vlorë, Orikumi e Radhima 5 ditë pa drita
VLORE - Prej pesë ditësh, e gjithë zona e Orikumit, Radhimës, Dukatit e deri në Palasë janë thuajse pa energji elektrike. Një defekt në linjën e re të energjisë ka bërë që dritat të fiken çdo një orë, duke vënë në vështirësi jo vetëm banorët, por edhe bizneset e shumta që ndodhen në këtë zonë turistike. Banorët si dhe pronarët e hoteleve e restoranteve shprehen se energjia ndërpritet herë pas here. “Një orë vjen dhe 30 minuta ndërpritet. Më pas rrimë më shumë se dy orë pa drita. Kjo situatë vijon prej pesë ditësh dhe askush nuk ka marrë masa. Na u shkatërruan pajisjet, po na dëmtohen ushqimet, mishi si dhe prodhimet e detit, ndërsa pushuesit dhe turistët janë gati të largohen”, shprehen biznesmenët e zonës. Sipas punonjësve të ndërmarrjes elektrike situata shkaktohet nga mungesa e një çelësi të rrjetit në nënstacionin 10 kv të Radhimës. Para dy muajsh duke parë se rrjeti ekzistues nuk përballonte ngarkesën, u shtri një rrjet tjetër energjie nga nënstacioni i Babicës deri në nënstacionin e Radhimës. Por as rrjeti i ri nuk e përballon dot ngarkesën. Pasi u vu në punë linja e re, ndodhi defekt në çelësin kryesor. Pas verifikimit rezultoi se kjo pajisje është vënë e vjetër dhe jo e re, siç ishte parashikuar në kontratë nga firma përkatëse. q.b