E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari s'merr 3 pikët, pezullohet fusha e Peqinit

TIRANE-Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit i ka thënë "Jo" kërkesës së bërë nga klubi Flamurtari për 3 pikët në tavolinë, për ndeshjen me Shkumbinin ditën e premte. Vlonjatët pretendonin se arbitrit Lorenc Jemini i është bërë presion dhe ai është goditur përpara startit të takimit, ndërkohë që një gjë e tillë në fakt është shkruar edhe në raportin e arbitrit e të delegatit të ndeshjes. Megjithatë, Disiplinori nuk e ka marrë për bazë një gjë të tillë në dhënien e vendimit, duke vendosur vetëm një pezullim të rëndë për fushën e Shkumbinit. Kështu, peqinasit do t'i luajnë katër ndeshjet e radhës jashtë Peqinit si edhe do të paguajnë një gjobë stratosferike prej 1.5 milionë lekësh për problemet në këtë ndeshje. Në vendimin e dhënë nga KDS argumentohet se ai është marrë "për hedhje të sendeve të forta në fushë me pasojë ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta si edhe për dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes". Në fakt, këto ishin edhe pretendimet e vlonjatëve, që kërkuan tre pikët në tavolinë nga kjo sfidë. Por, FSHF nuk e ka pranuar këtë kërkesë, duke e quajtur "të pabazuar në rregullore dhe në prova". Në fakt, edhe në Vlorë kishin shpresa të pakta për këtë ngjarje, ndonëse problemet që ka patur arbitri Jemini u bënë menjëherë të njohura.
Ngjarja
Ditën e premte, para ndeshjes Shkumbini-Flamurtari (2-1 për vendasit), arbitri Lorenc Jemini është kërcënuar dhe goditur në dhomat e zhveshjes nga zyrtarë të klubit peqinas. Ai gjithsesi ka hyrë në fushën e lojës, duke e anashkaluar këtë problem. Ndërkohë, në fushë gjërat janë acaruar së tepërmi në një moment dhe një send i fortë, që goditi një nga arbitrat anësorë, çoi në ndërprerjen për disa minuta të takimit. Pas ndeshjes vlonjatët thanë se do të kërkonin pikët në tavolinë, por FSHF nuk e ka pranuar këtë. Komisioni i Disiplinës ka vendosur vetëm pezullimin e fushës për 4 ndeshje dhe gjobën e majme prej 1.5 milionë lekësh.
Vendimet
Në vendimet e tjera të marra dje nga Komisioni i Disiplinës, ka qenë ai për pranimin e kërkesës së bërë nga trajneri Alpin Gallo, që Tirana t'i kthejë shumën e 200 mijë lekëve, të barabartë me dy rroga mujore të tij në kohën që ishte në pankinën bardheblu. Po ashtu, trajneri i Kamzës Skerdi Bejzade, për sjellje të ofenduese ndaj zyrtarit të ndeshjes, është pezulluar për 8 ndeshje nga aktiviteti dhe gjobit me 250 mijë lekë. Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutuar dje ka qenë ajo për dhunën e ushtruar ndaj trajnerit të Vllaznisë Mirel Josa në Laç, ditën e shtunë. Komisioni i Disiplinës ka thirrur për këtë drejtuesit e dy klubeve, që do të japin argumentat më 27 prill.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›