Flash: Uikend i ngjeshur në Maqedoni

Shkëndija dhe Teteksi në hamendje- Vetëm nje ditë ka mbetur deri te ndeshja e balotazhit midis Shkëndijës dhe Teteksit, ndërsa ende nuk është definuar se ku do të zhvillohet ky takim. Sipas disa informacioneve thuhet se ndeshja do të zhvillohet në Tetovë dhe se kjo është bërë me kërkesën e skuadrës së Teteksit. Ndërkohë sekretari i kësaj skuadre, Zoran Momirovski thotë se kryesia e tyre ka kërkuar që ndeshja të zhvillohet në Shkup dhe jo në Tetovë.
"Nuk është e vërtetë se kemi kërkuar që takimi të zhvillohet në Tetovë. Kemi kërkuar që ndeshja të zhvillohet në Shkup, kjo është bërë me kërkesë të kryesisë së klubit tonë", thotë Momirovski. Ndërkohë kryesia e re e FFM-së në krye me Emil Bozhinovskin poashtu ka bërë të ditur se drejtuesit e Teteksit kanë kërkuar që ndeshja të luhet në Shkup, ndërsa arsyeja ka qenë mospasja e mjeteve të nevojshme financiare që takimi të zhvillohet në Prilep.
Në anën tjetër drejtori sportiv i Shkëndija'79, Qatip Osmani u shpreh se ndeshja do të zhvillohet në Tetovë. "Nga kryesia e FFM-së, gjegjësisht nga Haxhiristevski kemi marrë letër ku thuhet se ndeshja do të zhvillohet në Tetovë. Ne jemi duke u përgatitur për në Tetovë dhe për askund tjetër", tha Osmani.
Renova braktis Ligën
Sponsori kryesor i klubit të futbollit Renova, Qenan Idrizi mbetet në qëndrimin e tij se do të tërhiqet nga garat, pasi komisioni për licencim pranë FFM-së i ka ndarë licencat skuadrës së Vardarit dhe Pobedës. "Unë e mbaj qëndrimin e mëhershëm. Nuk do të garojmë në këtë ligë. Të dielën pionierët e Renovës nuk do të zhvillojnë ndeshjen kundër Ovce Poles, në kuadër të play-off-it. Pra vendimi është për të gjithë që nga kategoritë e reja deri te futbollistët që luajnë në ekipin e parë", deklaroi pronari i klubit, Qenan Idrizi.
Nga ana tjetër të gjithë futbollistët e Renovës janë lëshuar nga klubi pas vendimeve të fundit të FFM-së. 'Të gjithë lojtarët janë në shtëpi, ndërsa nga dita e premte do shkarkoj edhe kryesinë e klubit", u shpreh Idrizi, duke shtuar se asnjëra nga dy kryesitë e FFM-së nuk është e interesuar për skuadrën e Renovës
Ne prag te ndeshjes Maqedoni-Izrael
Pollozhani: Shpresojmë në rezultat pozitiv
Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll të enjten në mesditë ka arritur në hotelin "Aleksandar Palace" në Shkup, ku do të qëndrojë deri pak përpara ndeshjes me Izraelin. Reprezentuesit "verdhekuq" nën drejtimin e seleksionuesit slloven, Srecko Katanec pesë ditë kanë stërvitur në stadiumin e qytetit "Biljanini Izvori" në Ohër dhe sipas tyre të gatshëm e presin ballafaqimin me izraelitët. "Atmosfera në radhët e ekipit ishte shumë e mirë. Kemi zhvilluar përgatitje maksimale dhe shpresojmë se do të nxjerrim një rezultat pozitiv nga përballja me Izraelin", është shprehur futbollisti i vetëm shqiptar në përfaqësuesen e Maqedonisë, Artim Pollozhani. Ai thotë se kundërshtarin duhet respektuar pasi bëhet fjalë për një skuadër mjaftë të fortë. "Ne e respektojmë Izraelin. I dimë cilësitë e tyre, gjithashtu e dimë se disa nga lojtarët luajnë në Premierligë. Ne i kemi përcjellë disa video kaseta të tyre dhe kemi ardhur në përfundim se bëhet fjalë për një ekip serioz, megjithatë vlerësojmë se do t'ia dalim të arrijmë një rezultat të pëlqyeshëm", tha Pollozhani. Ndryshe, reprezentacioni i Maqedonisë, të enjten në mbrëmje ka zhvilluar edhe një stërvitje, ndërsa për të premten është caktuar stërvitja e fundit para takimit. Ndeshja Maqedonia - Izraeli do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Shkup, të shtunën me fillim në orën 19:30.
Atalanta cmendet pas Guxhufit
Talenti 17 vjecar i KF Slloga, Burim Guxhufi, i ka mahnitur trajnerët e ekipeve nga Serie A e Italisë. Ai është kërkuar që të firmos kontratë me ekipin nga Bergamo, Atalanta, ndërkohë që në adresë të tij kanë arritur edhe ofertat nga Siena dhe Empoli. Babai i Burimit, Besnik Guxhufi thotë se tri skuadra të Italisë janë të interesuara për shërbimet e djalit të tij. "Kemi kontaktuar me disa menaxherë nga Italia. Ata përmes disa incizimeve i kishin shikuar disa nga lojërat e Burimit. Të themi të vërtetën janë Siena, Atalanta dhe Empoli, tri skuadra që interesohen për Burimin". "Garancia për vizë ka arritur dhe shumë shpejt duhet të presim edhe marrjen e vizës. Kujtoj se nuk do të ketë probleme me Sllogën, aty ku Burimi ka luajtur deri më tani", thotë prindi i Burimit.
Ndryshe, Burim Guxhufi ka luajtur për ekipin e të rinjve dhe për seniorët e Sllogës. Në tetë ndeshjet e luajtura në skuadrën e parë ka shënuar 9 gola. Ai bën pjesë edhe në reprezentacionin e Maqedonisë të grupmoshave deri më17 vjec.
Nexhipi kthehet te Herta?
Nderim Nexhipi, futbollisti i Rabotnicki Kometall të hënën ka udhëtuar drejtë Gjermanisë, ku këtyre ditëve pritet të nënshkruaj për ndonjë skuadër nga Bundesliga. Mesfushori i Rabotnickit ka thene per Albania-Sport se shumë shpejt do të dihet skuadra e tij e re, por duhet pritur edhe pak kohë. "Për momentin jam në Berlin, do të vendos shumë shpejt, por ende nuk mund të them asgjë konkrete", ishin fjalët e tij të para që i tha përmes telefonit, Nexhipi. Kampioni i "romantikëve" edhe disa vite më herët kishte qenë pjesë e Hertës dhe Volfsburgut, ndërsa tani si duket sërish do të kthehet në gjirin e vjetër.