Elbasani-Bici, pritet marrëveshja zyrtare

Vasil Bici është pranë nënshkrimit me Elbasanin, dy herë kampion i Shqipërisë. Pas shumë bisedimesh mes tij dhe kryesisë së klubit duket se është rënë dakord që ai të drejtojë verdheblutë në sezonin e ardhshëm. Trajneri i njohur lezhjan nuk arriti të mbyllte sezonin e kaluar në bankinë, pavarësisht se drejtoi Shkumbinin dhe Besën.
Elbasanasit menjëherë pas përfundimit të sezonit dhe dështimit total janë hedhur në sulm për të siguruar trajnerin e ardhshëm që do të mund t'i kthente ata në elitën e futbollit shqiptar. Pas shumë kontaktesh të dështuara me Agim Canajn dhe Ilir Dajën, më në fund është arritur akordi midis presidentit Arben Laze me Bicin, që tashmë pret të hedhë firmën në kontratë.
Një lajm të tillë e bëjnë të ditura burime pranë klubit verdheblu për gazetën "Sporti", që e shikojnë trajnerin lezhjan Bici të sigurt në drejtimin e bankinës së ish-kampionëve, dy sezone më parë.
Vasil Bici ka drejtuar një numër të madh ekipesh si: Vllaznia, Teuta, Dinamo (disa here), Bylis , Shkumbini (disa here) dhe Besa. Lezhjani ka qenë edhe ndihmës i trajnerit të Kombëtares, Medin Zhega si dhe ndihmëstrajner i ekipit Kombëtar U-21.
Deri tani per sezonin 2007-2008 janë konfirmuar bankinat e Tiranës (Sulejman Starova), Teutës (Hysen Dedja), Vllaznisë (Mirel Josa), Besës (Ilir Shulku), Dinamos (Agim Canaj) dhe Partizanit (Hasan Lika).