E Diel, 1 Nëntor 2026

Flash nga Maqedonia: Vazhdon degradimi i trajnerëve shqipëtar

ASA (Albania Sport Agency)- Skuadra e Bashkimit nga Kumanova nga e mërkura ka mbetur pa kryetrajnerin Hysni Maxhuni, ndërsa një lajm të tillë për Albania-Sport e ka vërtetuar edhe vet strategu i njohur kosovar. "Unë mendoj se kam qenë shumë korrekt ndaj Bashkimit. Por nga ky klub u larguan mjaft lojtarë, ndërsa drejtuesit e Bashkimit nuk sollën asnjë përforcim të nevojshëm për të siguruar ekzistencën. Me këto lojtarë që ka për momentin vetëm mund të komprometohem. Bashkimit i dëshirojë suksese. Ata kanë një publik të mrekullueshëm. 'Ilirët' na kanë përkrahur edhe kur kemi humbur, duke qenë gjithmonë me ne. Po më vjen keq që u largova nga Bashkimi, sepse deri tani kanë qenë korrekt ndaj meje", u shpreh Maxhuni.
Ndërkohë drejtori sportiv i Bashkimit, Belgi Arfi thotë se problemet familjare kanë qenë shkaqet kryesore që trajneri Maxhuni është larguar Kumanova. "Për shkak të problemeve familjare, trajneri Hysni Maxhuni është larguar nga Bashkimi. Ne bëmë përpjekjet tona për ta ndalur, por ai kishte vendosur të kthehet në Prishtinë. Ai do të zëvendësohet nga ndihmësi i tij Erkan Jusuf".
Ndryshe, Maxhuni në skuadrën e Bashkimit pat ardhur në fillim të kampionatit të ri, ndërsa në 27 ndeshje ka shënuar 8 fitore, 6 barazime dhe 13 humbje.

Rijad Murati

Emini së shpejti do të kthehet
- Futbollisti i skuadrës së Renovës, Vullnet Emini do ti kthehet së shpejti skuadrës së tij, pasi që një kohë të gjatë e ka munduar lëndimi që ka pasur.
"Jam duke i bërë kontrollimet mjekësore. Do të shoh se cdo të thonë mjekët. Nëse do të më japin dritë të gjelbërt për tu kthyer në seancat stërvitore ose jo", u shpreh "shtatëshja" e Renovës. "Gjipspunuesit" janë në formë shumë të mirë, pasi kanë arritur të shënojnë pesë fitore rresht, ndërsa në radhë kanë edhe dy takime shumë të rëndësishme. Në fushë të vet e presin Makedonija Gj.P, kurse më pas do të luajnë kundër skuadrës së Rabotnickit. "Tani na pret takimi me Makedonijën. Këtu me cdo kusht duhet të fitohen pikët. Më një fjalë ne do të vendosim për fatin e klubeve që pretendojnë për titull kampioni nga njëra anë dhe nga ana tjetër luftojmë për të dalë në arenën ndërkombëtare, që është edhe synim i yni", tha Emini.

Vullnet Dauti

Bexheti do të shkarkohet
Në bazë të nenit 32 alineja 2 të statutit zyrtarë të LFK-së së Tetovës, por edhe sipas nenit 25 të statutit jozyrtarë (model për Lidhjet futbollistike Komunale) Këshilli Iniciativ për ndryshime në LFK të Tetovës më datë 28 prill do të konvokoj Kuvend të jashtëzakonshëm të cilin do ta udhëheq kryetari Nexhbedin Sinani. "Presim përkrahje nga klubet. Këshilli Drejtues ka marrë qëndrim që në Kuvendin e jashtëzakonshëm edhe ata të kenë të drejtë prezantimi me përfaqësues të vet. Ky kuvend është në interes të futbollit dhe në përgjithësi të sportit. Shpresoj se do t'i japin përkrahje opsionit të cilin e prezantojmë ne, ku mbi të gjitha dominojnë personalitet e futbollit", tha Sinani. Ai shtoi se është për tu ardhur keq që nuk u jepet mundësia edhe klubeve të tjera të cilët kanë dhënë kontributin e vetë për të ardhur z. Rexhep Bexheti në krye të saj. "Ja që tash zotëriu nuk ka interes për ato klube mbase ato e kryen misionin e vetë kur i duheshin. Megjithatë unë dhe Këshilli Iniciativ i ftojmë që të jenë prezentë në Kuvend dhe njëherësh iu bëjmë ftesë ish-futbollistëve dhe sportistëve të tjerë të jenë prezentë në Kuvend dhe së paku të kemi mbështetjen e tyre morale", përfundoi Sinani.

Vullnet Dauti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›