Flasim mesatarisht dy orë në muaj me celular
Ulja e tarifave ka sjellë rritjen masive të përdorimit të celularit, sidomos te paketat ku brenda rrjetit janë tepër të ulëta. Kjo ka sjellë shtimin e kohës së bisedave me celular, me një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin 2008, por nën mesataren e BE-së. Në raportin vjetor 2009, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) doli me vlerësimin se konsumi mesatar mujor i thirrjeve dalëse është pothuajse dyfishuar gjatë vitit 2009, nga 30 minuta thirrje dalëse në muaj në vitin 2008, në gati 60 minuta në vitin 2009. Ndërsa për të gjitha telefonatat, AKEP konstaton se konsumi mesatar mujor i thirrjeve është rritur nga 45-81 minuta në muaj në 103-137 minuta në muaj, pra rreth dy orë/muaj.
“Rritja e ndjeshme e numrit të pajtimtarëve celularë, rënia e çmimeve dhe e të ardhurave mesatare për përdorues, rritja e përdorimit mesatar të shërbimeve celulare në terma të thirrjeve dalëse dhe hyrëse për përdorues gjatë vitit 2009 në krahasim me vitin 2008 dhe vitet e mëparshme, janë tregues të qartë të rritjes së përfitimeve të abonentëve celularë nga konsumi i shërbimeve celularë, si edhe përbëjnë shenja të rritjes së konkurrencës në tregun celular”, nënvizon AKEP në raportin vjetor, i cili ka mbërritur për miratim nga Kuvendi i Shqipërisë.
Futja në treg e operatorit të tretë solli një bum ofertash nga kompanitë, të cilat konsistonin në ulje tarifash brenda rrjetit, e madje falas në periudha të caktuara. Shifrat zyrtare tregojnë se deri në fund të vitit 2009, numri i përdoruesve të telefonisë së lëvizshme vlerësohet të ketë arritur 4.16 milionë, që përbën një rritje të konsiderueshme me 40 për qind apo 1.2 milionë përdorues më shumë krahasuar me fundvitin 2008.
Kartat celulare me parapagesë dominojnë tregun, ku rreth 94 për qind e abonentëve i përdorin në nivel të qëndrueshëm, pra pa pasur ndryshim në dy vitet e fundit, ndërsa struktura e përdoruesve me parapagim dhe me kontratë është e ngjashme për të tre operatorët. Sipas raportit të AKEP, pjesët e tregut të operatorëve “AMC” dhe “Vodafone Albania” për vitin 2009 janë zvogëluar, pasi “Eagle Mobile” ka fituar terren si te përdoruesit, ashtu dhe te thirrjet, afërsisht 15 për qind krahasuar me nivelin 4-9 për qind në vitin 2008.
#