E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat pengojnë lëvizjen e studentëve dhe pedagogëve shqiptarë

Shqipëria, bashkëkryesuese e procesit të Bolonjës për këto gjashtë muaj

Lëvizja dhe komunikimi i studentëve dhe pedagogëve shqiptarë me ata europianë, në kuadër të Procesit të Bolonjës, është e vështirë për shkak të problemeve që krijohen për pajisjen e tyre me viza. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, i cili mori pjesë në takimin ministror për Procesin e Bolonjës, mbajtur në Vjenë të Austrisë, e ngriti këtë shqetësim. “Mobiliteti i studentëve zhvillohet kryesisht në kuadër të programit TEMPUS dhe Erasmus Mundus, por ai është i pamjaftueshëm”, u shpreh ministri Tafaj. Ai theksoi më tej se “regjimi i vizave është një pengesë nganjëherë serioze për mobilitetin e studentëve dhe pedagogëve. Ky është një argument më shumë për liberalizimin e vizave, aq më tepër që Shqipëria ka bërë një progres evident në përmbushjen e kritereve të kërkuara”.

Në vizitën e tij dyditore në Austri, ministri Tafaj u takua edhe me studentët shqiptarë që studiojnë në universitetet austriake. Ata kërkuan nga ministri i Arsimit që të mos hasin në pengesa për sa i përket njohjes dhe konvertimit të diplomave të tyre, një problem shumë i madh ky për ata që studiojnë jashtë vendit në përballje me këtë institucion. Në bisedën e tij me studentët shqiptarë, Tafaj siguroi se konvertimi i diplomave do të jetë një proces që do t’i përmbushë të gjitha afatet kohore të kërkuara prej tyre. Më pas, duke iu përgjigjur shqetësimeve të studentëve për mundësitë e kthimit dhe integrimit të tyre në stafet akademike shqiptare, ministri i Arsimit dhe Shkencës u shpreh se institucioni që ai drejton do të bëjë të mundur një transparencë të plotë të të gjitha procedurave të rektorateve në procesin e rekrutimit të të diplomuarve në stafet e tyre.

Në takimin dyditor të mbajtur fillimisht në Budapest dhe më pas në Vjenë, 46 ministrat e Arsimit të vendeve që aderojnë në Procesin e Bolonjës kanë diskutuar mbi përparësitë e këtij procesi. Në këtë takim Tafaj vlerësoi se arsimi parauniversitar dhe ai i lartë në Shqipëri në këto vite ka kryer një sërë reformash. “Në këto vite është rritur ndjeshëm numri i studentëve, është zgjeruar arsimi privat cilësor, janë shpallur strategji afatgjata për rritjen e investimit total, publik dhe privat, është shtrirë interneti në çdo shkollë e universitet e janë hartuar strategjitë e arsimit të lartë e kërkimit shkencor, teknologjisë e inovacionit sipas tendencave europiane”, tha Tafaj. Ai shtoi se Shqipëria ka bërë përpjekje sistematike për reformimin e kurrikulës dhe strukturës së studimeve të arsimit të lartë në përputhje më parimet e Procesit të Bolonjës dhe universitetet shqiptare kanë një bashkëpunim intensiv me rajonin e më gjerë, në kuadër të programeve të BE-së. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në sfidën kryesore afatgjatë të rritjes së cilësisë në arsimin shqiptar, Tafaj vlerësoi se objektivi kryesor në arsimin e lartë është arritja e standardeve europiane jo vetëm në akses, por edhe në cilësinë e studimeve. Shqipëria dhe Belgjika do të jenë në 6 muajt e ardhshëm bashkëkryesuese të Procesit të Bolonjës. Procesi i Bolonjës ka nisur 10 vite më parë, ndërsa Shqipëria ka aderuar në Kartën e Bolonjës në vitin 2003. Studentë të vendeve të Europës Perëndimore kanë kërkuar kryerjen e shumë ndryshimeve të Kartës së Bolonjës. E tillë ishte edhe protesta e zhvilluar në Gjermani nga studentët e këtij vendi, që kërkuan reformim të këtij sistemi universitar.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›