E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flasin më 22 korrik

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ta bëjë publik më 22 korrik mendimin këshillëdhënës rreth legalitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pohojnë burime të gazetës Express.

Shpallja e mendimit nga Gjykata pritet të bëhet gjatë një seance publike në Pallatin e Paqes në Hagë, në praninë e të gjitha shteteve që kanë marrë pjesë në rastin e Kosovës.

Në Ministrinë e Jashtme të Kosovës, të premten, kanë thënë se ende nuk kanë marrë asgjë zyrtare nga GJND’ja për kohën kur mund të shpallet ky mendim, por nuk kanë përjashtuar mundësinë që kjo të ndodhë në korrik.

Qerim Qerimi, Këshilltar i Ministrit Hyseni, ka thënë për Express se aktualisht është e pamundur të thuhet me saktësi se kur Gjykata do ta shpallë mendimin.

Duke komentuar rreth një takimi që Ministri Hyseni ka pasur me avokatin e palës kosovare, Sir Michael Wood, Qerimi ka thënë se në takim është biseduar për periudhën pasi Gjykata ta japë mendimin.

“Ato (bisedat me avokatin Wood) nuk lidhen patjetër me datë. Por sigurisht që janë në atë frymë të përgatitjeve të veprimeve që mund të jenë të nevojshme ose të domosdoshme në periudhën menjëherë pas mendimit të Gjykatës. Mirëpo, kjo nuk niset prej supozimit të një date fikse, që mund të jetë që është në korrik ose më vonë ose më herët”, ka thënë ai.

Qerimi thotë se deri më tani Ministria e Jashtme nuk ka marrë asgjë zyrtare.

“Zyrtarisht nuk kemi marrë asgjë nga Gjykata. Pikërisht për këtë është e pamundur të thuhet diçka me saktësi dhe po ashtu e panevojshme derisa ne nuk njoftohemi prej vetë Gjykatës. Por deri më sot nuk kemi ndonjë njoftim”, ka thënë ai.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka filluar të shqyrtojë legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB’së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në tetor të vitit 2008. Kjo Gjykatë, në dhjetorin e vitit të kaluar, ka mbajtur seancat dëgjimore në të cilat janë përmendur argumente “për” dhe “kundër” pavarësisë së Kosovës. Deri më tani, në opinion, janë përmendur afate të ndryshme kohore për shpalljen e këtij mendimi.

Fillimisht është folur për muajt maj dhe qershor, ndërsa së voni është përmendur edhe vjeshta e madje edhe fundi i vitit. Përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Kosovë, Pieter Feith, gjatë një ligjërate në një institut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të martën, ka deklaruar se mendimi për ligjshmërinë e pavarësisë mund të shpallet në fund të korrikut.

(Artikullin, të plotë, mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)
Tekstin

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›