E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flesh: Shkëndija barazon me Flamurtarin

Në stadiumin e qytetit në Tetovë u zhvillua ndeshje miqësore në mes skuadrës së Shkëndijës dhe Flamurtarit të Vlorës. Ky takim përfundoi me rezultat të barabartë 3:3. Lojtari më i mirë në radhët e Shkëndijës në këtë takim ka qenë sulmuesi senegalez që luan në repartin e sulmit Muhamadu Mustafa i cili tregoi një lojë të bukur për 3000 shikuesit e tubuar në stadiumin e qytetit. Mustafa shënoi golin e parë me një gjuajtje të fortë ndërkohë po ashtu realizator ishte edhe i golit të tretë nga penalltia. Të dyja skuadrat aktivizuan të gjithë futbollistët që kishin në dispozicion. Futbollisti Senegalez Muhamadu Mustafa fitoj zemrat e tifozëve të cilët e duartrokitën pas golave të shënuar.
Për skuadrën e Shkëndijës ky është takimi i dytë miqësore pas skuadrës së Gostivarit ku fitoj me rezultat minimal 1:0.
Golat për Shkëndijën i kanë shënuar, Muhamedu Mustafa (2) dhe Mustafi, ndërsa për Flamurtarin realizuan Beadini, Strati dhe Rrustemi.
Takimin e tretë do ta zhvilloj në Milano të Kumanovës dhe në këtë javë do të bëhet selektimi i futbollistëve që do të ngelin në skuadrën e Shkëndijës.
Mumin Sallai është duke u stërvitur jashtë skuadrës për shkak të lëndimit që ka dhe pritet që të aktivizohet në ndeshjen e tretë kontrolluese ndaj skuadrës së Milanos. Ndërsa seancave stërvitore do ti bashkëngjitet edhe sulmuesi Ace Tolevski i cili kohë më parë u bë operacion dhe një kohë të gjatë i mungoj skuadrës.
Ndërkohë ditën e enjte kanë filluar më stërvitje kategoritë e reja të Shkëndijës bëhet fjalë për dy kategori atë të juniorëve nën udhëheqje të Bekim Osmani dhe Bashkim Livorekës tek kategoria e kadetëve.
Sipas koordinatorit Halim Hodai ka pasur një interesim të madh që në ditën e parë.”Te juniorët numri ka qenë pak më i vogël për shkak se disa prej futbollistëve gjenden në pushim. Deri në fund të javës do të afrohen edhe futbollistë tjerë. Ndërkohë tek kadetët ka pasur më shumë futbollistë dhe në këtë kategori pritet që numri të shtohet më tepër. Futbollistët që janë paraqitur në teren kanë qenë të skuadrës së Shkëndijës dhe futbollistët që janë afruar nga skuadra tjera,” tha Hodai.
Nuhiu lëndohet në stërvitje
Futbollisti shqiptar Ardian Nuhiu që është duke u testuar te skuadra e FC Standard nga Azerbejxhani, është lënduar në një stërvitje të skuadrës, ku ka dëmtuar muskulin e këmbës së djathtë. “Në një seancë stërvitore të skuadrës kam lënduar muskulin e këmbës së djathtë. Kështu i lënduar luajta edhe në ndeshjen kontrolluese, por nuk munda të vazhdojë dhe u tërhoqa nga loja. Nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim serioz, sepse mendoj që për dy –tre ditë do tu kthehem sërish stërvitjeve. Sikur të mos isha lënduar sigurisht puna do të ishte e kryer, por tani drejtuesit e klubit kërkojnë që të qëndrojë edhe përe disa ditë”, njofton përmes telefonit nga Azerbejxhani, Ardian Nuhiu. Gjatë ditëve të ardhshme Nuhiu do të jetë nën përkujdesje të ekipit mjekësorë të skuadrës FC Standard, për ta riaftësuar për takimet e ardhshme kontrolluese. “Ky lëndim e ka shtyrë qëndrimin tim në këtë klub deri të mërkurën e ardhshme. Javën që vjen do të luaj edhe një ndeshje dhe pastaj do të vendosim për firmosjen e kontratës me FC Standard”, shtoi Nuhiu. Ai në testimin e parë që pati para ca ditëve ka bërë një paraqitje shumë të mirë, megjithatë nuk ishte e mjaftueshme për nënshkrimine marrëveshjes.
Renova përgatitet në Ohër
Trajneri i portierëve të Shkëndijës, Samet Zeneli është larguar nga Shkëndija dhe është transferuar në stafin teknik të Renovës. “Është e vërtetë se trajneri i portierëve të Shkëndijës Zeneli ka kaluar në radhët tona. Që nga e mërkura ai i është bashkangjitur stafit teknik të skuadrës”, është shprehur drejori sportivë, Lirim Saiti. Ai tha se që nga e premta ekspedita e Renovës do të transferohet në Ohër, ku do të vazhdojë me ndeshjet kontrolluese. “Në Ohër do të qëndrojmë deri më 29 korrik. Kemi rezervuar tri takime. Me Ohrin luajmë më 24 korrik, Pelisterin me 25 dhe Napredokun 27 korrik. Termine të lira janë edhe 22 dhe 28, por ende nuk kemi siguruar kundërshatarë”, njoftoi ai. Sa i përket ndeshjeve miqësore Renova të mërkurën fitoi (2:1) Teteksin në ndeshjen që u zhvillua në Tetovë. Golat i kanë shënuar Stankoviq në minutën e 9-të dhe Trajcov në të 60-ën. Në këtë përballje miqësore Renova tregoi një lojë shumë më të mirë sesa anëtari i Ligës së Dytë Teteksi. Të dyja palët gjatë këtij takimi shrytëzuan rastin për t’i provuar të gjithë futbollistët që i kanë në dispozicion para fillimit të kampionatit të ri.
Drita barazoi me Sileksin
Skuadra e Ligës së Dytë të Maqedonisë, Drita nga Bogovina në kuadër të përgatitjeve për kampionatin e ri ka zhvilluar një ndeshje kontrolluese me Sileksin e Kratovës. Ndeshja është luajtur në stadiumin “Biljanini Izvori” dhe ka përfunduar me rezultat të barabartë 2:2. Golat për skuadrën e re të kategorisë së dytë të futbollit të Maqedonisë, Drita i kanë shënuar Rexhep dhe lojtari i ri Berisha. Madje ky i fundit ia doli të barazojë rezultatin pak minuta para përfundimit të ndeshjes. Në kuadër të ndeshjeve kontrolluese ekipi i Dritës planifikon të zhvillojë një ndeshje edhe me Pelisterin e Manastirit.

Reshat Ibrahimi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›